Skip to content

Agim Qirjaqi, ditët në agoni të aktorit..

02/10/2010

S’ka mbetur thuajse asgjë, asnjë tipar, asnjë grimë energji, thuajse asnjë kujtim… Portreti i tij ekspresiv, vështrimi i thellë dhe mimika e pasur janë davaritur… thuajse tretur krejtësisht. Agim Qiriaqi, aktori i mrekullueshëm dhe regjisori plot fantazi, është sot një burrë i tretur, me shpirtin strukur në trupin e dërrmuar prej sëmundjeve… Katandisur në 40 kg njeri. Dje morëm lajmin se Qirjaqi po kalon ditët më të vështira të jetës së tij, i shtruar në spital. Rreth 2 javë më parë, pasi ka kaluar një krizë të rëndë, miqtë e tij e kanë shtruar me urgjencë në spitalin nr.5, në pavijonin e neurologjisë. Mjekët kanë konstatuar se aktori vuante nga sëmundja “Alzheimer”, thënë ndryshe parkinson i avancuar.

Miqtë e tij në Tetarin Kombëtar thonë se aktori nuk dilte nga shtëpia prej disa muajve. Në teatër nuk shkelte më që nga viti i kaluar. Madje, as rrogën që ia hidhnin në llogarinë e tij bankare nuk arrinte ta tërhiqte, pasi duart nuk i komandonte dot dhe kodin bankar e harronte gjithmonë… Besim Kurti, nëndrejtor i Teatrit Kombëtar dhe mik i afërt i Qiriaqit, tregon se dy vitet e fundit jeta e tij u bë tmerrësisht e vështirë. Në familjen e tij (i ndarë nga bashkëshortja dhe me një vajzë të cilën e pati larg që kur ajo ishte 2 vjeçe), janë përpjekur që t’i jenë afër në këto ditë të vështira.

“Para dy viteve vajza e tij bëri bashkim familjar dhe e mori në Itali, ku u diagnostikua me parkinson dhe nisi kurimin. Por, simptomat e para të kësaj sëmundjeje iu shfaqën që në vitin 2006, kur ai luajti edhe rolin e fundit në teatër”, – thotë Besim Kurti, ndërsa përmend rolin e Qiriaqit tek “Pjata prej druri”, ku ai interpretonte krah aktorit të madh Sulejman Pitarka. Ndërsa kujton shenjat e para të sëmundjes, miku i Qiriaqit përmend momente nga shfaqja kur ai harronte ndonjë batutë. Në dialogun e fundit të shfaqjes, kur babai (Sulejman Pitarka) i drejtohet djalit të tij të madh (Agim Qiriaqi) që të mos e çonte në azil, dhe i thoshte: “meqë ti nuk je dakord, më merr me vete…”, pikërisht kur Qirjaqi duhet të vijonte dialogun, ai thjeshtë kundërshtonte.

“Si dukej nuk e kujtonte dot atë batutë. Mbaj mend se Pitarka zemërohej, ankohej se si ai, një aktor me eksperiencë, vinte në shfaqje i papërgatitur…Po kush e dinte! Kujt ia priste mendja se ato momente harrese ishin shenja të një sëmundjeje që do t’i shkaktonte kaq shumë dhimbje e vuajtje për gjithë këto vite…” Kur sëmundja u rëndua shumë, sidomos muajin e fundit, drejtori Kristaq Skrami së bashku me regjisorin Gëzim Kame folën me ministrin e Shëndetësisë për t’i siguruar aktorit një ndihmë më të specializuar. “Iu shpjegua sëmundja dhe u arrit në konkluzionin se për këtë sëmundje ishte një klinikë ku aplikoheshin metodat më të përparuara për parkinsonin, në Izrael. Pasi e shtruam tek neurologjia dhe po përgatisnim të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë rast, pas analizave të kryera, mjekët konstatuan se aktori vuante edhe nga tumori në kocka.

Po ashtu, edhe veshkat ishin rënduar së tepërmi nga azotemia… Një fatkeqësi e madhe, një koleksion i tërë sëmundjesh…”, – thotë Kurti, ndërsa shton se e vetmja ndihmë që mund t’i ofrohet tashmë janë ilaçet e rimbursueshme, për të cilën ka ndërhyrë vetë ministri i Shëndetësisë, pasi aktori s’ka mundësi financiare për t’i përballuar. Mësohet se së shpejti aktori do ta lërë pavionin ku është shtruar dhe do të vijojë kurimi i tij në shtëpi. Shtrimi i tij në klinikën izraelite do të ishte një mundim i kotë. Çastet më të trishta, siç rrëfejnë miqtë e tij, janë ato pak momente kur Qirjaqi kthjellohet për një çast, sheh vajzën e tij që i rri pranë në spital dhe përlotet…ose ato çaste të rralla dhe krejt të shkurtra kthjellimi kur ai iu thotë miqve: “Do të më çoni në shtëpi?”…

A.Peci

/PressAlb Multimedia Production/

Perditesim: Me keqardhje njoftojme qe aktori i nderuar Agim Qirjaqi u shuajt nga jeta me 28 Mars 2010. Ngushellimet tona i shkojne familjareve si dhe gjithe njerezve qe humben njeriun e dashur dhe aktorin e talentuar…

2 Comments leave one →
  1. Alketa permalink
    02/11/2010 20:45

    E dhimbshme, tejet e dhimbshme. Po shohim te shuhen te gjithe yjet e kinemase e teatrit tone. Lavdi zotit qe kane lene pas nje numer veprash te paperseritshme, por mjerim qe nuk do te mund t’i shohim me tek perqasen madheshtore me shkulmin e tyre si stuhi arti…
    Cfare te thuash per Agim Qirjaqin? Keqardhje eshte pak te thuhet…
    Kur i lexon keto lajme te vjen keq vertete, dhe padashje behesh dhe egoist. Egoist sepse kerkon me shume deshire t’i shohesh gjithmone ne ekran tek sjellin aktrimin e tyre mjeshteror dhe te prekin ne zemer me talentin e tyre, egoist sepse mendon se cfare humbjeje do te ndjejme ne si publik, dhe harrojme te mendojme se si ndjehen ata vete… ata qe largohen nga jeta duke e ditur se kane ende per te na dhene, ata qe jetuan nje jete te tere per ne… publikun e tyre egoist…
    A i kemi nderuar valle aq sa na kane nderuar ata ne? Aq sa e meritojne vertete????

  2. alqi lilaj permalink
    03/28/2010 17:51

    Shpreh ngushellimet e mia.jam krenar qe kam jetuar ne epoken e ketyre aktoreve te mrekullueshem.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: