Skip to content

Martesat gay, tërhiqet maxhoranca

01/16/2010

Qeveria tërhiqet nga miratimi i një ligji të posaçëm që lejon martesën e personave ndërmjet të njëjtit seks.

Në Kuvend është depozituar një projektligj për mbrojtjen ndaj personave të diskriminuar, por që mbron edhe homoseksualët. Në mbledhjen e 29 korrikut të vitit të kaluar, kryeministri Berisha kishte deklaruar se qeveria do ta miratonte draftin që lejonte martesën brenda të njëjtit seks. Por pas më shumë se gjashtë muajsh kjo nismë nuk është paraqitur nga ana e Këshillit të Ministrave, por nga një grup deputetësh të maxhorancës. Gjashtë deputetë të Kuvendit depozitojnë ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimin”, duke i dhënë të drejtën homoseksualëve të marrin pjesë aktive dhe në politikë. Deputetët e maxhorancës, Mark Marku, Rajmonda Bulku, Paulin Stërkaj, Selami Xhepa, Viktor Gumi dhe Nasip Naço kanë depozituar projektligjin kundër diskriminimit, duke synuar kështu dhe plotësimin e standardit të vendosur si pjesë e direktivës së Komisionit Evropian.

Në bazë të kësaj nismeje ndalohen të diskriminohen të gjitha ato persona që kanë edhe një orientim të caktuar seksual. “Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike fetare ose filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzaninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën , gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispozicionet gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër”, thuhet në nenin 1 të draftit. Mbi bazën e kësaj kategorie këta persona nuk duhet të diskriminohen në asnjë fushë të jetës, si punësimi, arsimi dhe çdo fushë tjetër të jetës. Në nenin 9 të këtij drafti është përcaktuar se “ndalohet diskriminimi në ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur, për tu zgjedhur dhe për tu emëruar në një detyrë publike”, duke nënkuptuar dhe pjesëmarrjen në politikë.
Komisioneri
Në bazë të këtij drafti është parashikuar ngritja e një institucioni të veçantë, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat që kanë të bëjnë me personat e veçantë, që lidhet me diskriminimin që parashikohen në nenin 1 të këtij projekti. Komisioneri do të ndihmohet nga të paktën një Zv. Komisioner si dhe tre ekspertë. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi me një shumicë të thjeshtë të deputetëve dhe ka një mandat pesë vjeçar. Në nenin 26 është përcaktuar se “komisioneri paraqet një raport të paktën një herë në vit përpara komisioneve të Kuvendit”. Në nenin 33 të projektligjit është përcaktuar dhe vendosja e gjobave në rast se konstatohet se ka raste që diskriminohen persona të ndryshëm. Në rast se diskriminimi ushtrohet nga zyrtarët e administratës shtetërore, gjoba maksimale e vendosjes është 1 milionë lekë të rinj. Ndërsa gjoba maksimale ndaj bizneseve dhe institucioneve jo qeveritare është 10 milionë lekë të rinj. Gjoba minimale është 20 mijë lekë të rinj. Vendimi për vënien e një mase ndëshkimore me gjobë, cakton gjithashtu dhe afatin e arsyeshëm brenda së cilës paguhet gjoba. “Si mjet i fundit, veçanërisht kur shkelësi nuk i përmbahet vendimit të Komisionerit ose nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar nga Komisioneri dhe sanksioni nuk është kundërshtuar në Gjykatë, Komisioneri mund t’u kërkojë autoriteteve kompetence heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të shkelësit për ta ushtruar veprimtarinë e tij. Shkelësi, ndaj të cilit merret masa ndëshkimore me gjobë ka të drejtë të ankohet në gjykatën kompetente sipas Kodit të Procedurës Civile”, thuhet në pikën 15 dhe 16 të nenit 33. Ndërsa gjoba pas arkëtimit derdhet në Thesarin e Shtetit.

Nenet e projektligjit

Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon  zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike fetare ose filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzaninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispozicionet gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër.

Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë të drejtën e çdo personi për:
a)    Barazi përpara ligjit dhe mbrojtje të barabartë nga ligji;
b)    Barazi të shanseve dhe mundësive për të ushtruar të drejtat, për të gëzuar liritë dhe për të marrë pjesë në jetën publike;
c)    Mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë tjetër sjelljeje që nxit diskriminimin

Neni 3
Përkufizimet

1. “Diskriminimi” është çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë, bazuar në cilindo arsye të përmendur në nenin 1 të këtij ligji, që ka si qëllim ose pasojë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me Aktet Ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë si dhe me ligjet në fuqi. Diskriminimi përfshin të gjitha format e diskriminimit të tilla si: diskriminim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, diskriminim për shkak të shoqërimit, diskriminim për më shumë se një arsye, ngacmimi, udhëzim për të diskriminuar, ose mohimi i një përshtatjeje të arsyeshme; bazuar në cilëndo arsye të përmendur në nenin 1 të këtij ligji, shprehja nëpërmjet fjalëve ose paraqitjes së përkatësisë në një grup të përmendur, ose supozimi që një person mund të bëjë pjesë në një grup të përmendur. Trajtimi i ndryshëm nuk përbën diskriminim, kurdoherë që  justifikohet në bazën e kritereve të arsyeshme e objektive, pa cënuar thelbin e së drejtës dhe kur synon të arrijë një qëllim të ligjshëm për një interes publik ose për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, gjithmonë në përpjesëtim të drejtë me gjendjen që e ka shkaktuar atë.
2. “Diskriminim i drejtpërdrejtë” është ajo formë diskriminimi që ndodh kur një person apo grup personash trajtohen në mënyrë më pak të favorshme sesa një person tjetër apo një grup tjetër personash në një situatë të njëjtë a të ngjashme.
3. “Diskriminim i tërthortë” është ajo formë diskriminimi që ndodh kur një masë, kriter apo praktikë, e paanshme në dukje, do ta vinte një person apo një grup personash në kushte jo të favorshme në lidhje me arsyet e parashtruara në nenin 1 të këtij ligji, në raport me një tjetër person ose grup personash, si dhe kur ajo masë, kriter apo praktikë, nuk justifikohet objektivisht nga një synim i ligjshëm ose kur mjetet e arritjes së këtij synimi, ose nuk janë të përshtatshme, ose nuk janë të domosdoshme e në përpjesëtim të drejtë me gjendjen që e ka shkaktuar atë.
4. “ Diskriminim për shkak të shoqërimit” është ajo formë diskriminimi që ndodh kur ka një dallim, kufizim ose preferencë për arsye të shoqërimit me persona që u përkasin grupeve të përmendura në nenin 1 të këtij ligji, si dhe për arsye të supozimit për një shoqërim të tillë.
5. “ Ngacmim” është ajo formë e diskriminimit që ndodh në rastin e një sjelljeje të padëshiruar, kur lidhet me cilëndo nga arsyet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji, që ka për qëllim ose efekt cënimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues a ofendues për atë person, si dhe në rastin e një trajtimi më pak të favorshëm, i kryer si rezultat i kundërshtimit ose i mosnënshtrimit nga ana e personit të cënuar ndaj një sjelljeje të tillë.
6. “ Udhëzim për të diskriminuar” është një udhëzim ose kërkesë, bazuar në marrëdhënie hierarkike, për të diskriminuar një ose më shumë persona , në bazë të arsyeve të përmendura në nenin 1 të këtij ligji.
7. “ Mohim i një përshtatjeje të arsyeshme” është ajo formë diskriminimi që ndodh kurdoherë kur ka një mohim ose kundërshtim për të kryer ndryshime ose rregullime të domosdoshme e të përshtatshme që nevojiten në një rast të veçantë dhe nuk imponojnë një barrë të tepruar, me qëllim që të sigurohet gëzimi dhe ushtrimi në baza të barabarta i të drejtave dhe lirive themelore për personat me paaftësi, ose të ndodhur në kushtet e tjera të përmendura në nenin 1 të këtij ligji.
8. “ Organizatat me interesa legjitime” janë ato organizata të cilat janë të rregjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe kanë si objekt të deklaruar të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ose u ofrojnë ndihmë viktimave të diskriminimit.
9. “Viktimizimi” është trajtim i disfavorshëm apo pasojë negative, që vjen si reagim ndaj një ankimimi a një procedimi që synon zbatimin e parimit të barazisë.

Neni 8
Reklamat diskriminuese
Ndalohet diskriminimi i reklamave ose njoftimeve të ndryshme, nëse ato paraqesin, haptazi, apo në mënyrë të nënkuptuar, qëllim për të diskriminuar.

Neni 9
Pjesëmarrja në politikë
Ndalohet diskriminimi në ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur, për tu zgjedhur dhe për tu emëruar në një detyrë publike.

Neni 33
13. Gjoba vendoset:
a) për një person fizik: nga 10.000 lekë deri në 1.000.000 lekë;
b) për një person juridik privat: nga 20.000 lekë deri në 10.000.000 lekë

14. Vendimi për vënien e një mase ndëshkimore me gjobë, cakton gjithashtu dhe afatin e arsyeshëm brenda së cilës paguhet gjoba.
15. Si mjet i fundit, veçanërisht kur shkelësi nuk i përmbahet vendimit të Komisionerit ose nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar nga Komisioneri dhe sanksioni nuk është kundërshtuar në Gjykatë, Komisioneri mund t’u kërkojë autoriteteve kompetence heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të shkelësit për ta ushtruar veprimtarinë e tij.
16. Shkelësi, ndaj cilit merret masa ndëshkimore me gjobë ka të drejtë të ankohet në gjykatën kompetente sipas Kodit të Procedurës Civile.
17. Gjoba derdhet në thesarin e shtetit.

Berisha:Do lejojmë martesat e homoseksualëve
Në mbledhjen e 29 korrikut të Komitetit Ndërministror të Integrimit, kryeministri Berisha u shpreh se është gati ligji për lejimin e martesës të personave të së njëjtit seks. “Këtë ligj e ka përgatitur Shoqëria Civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se, pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane”, u shpreh kreu i qeverisë.

/Gazeta Panorama/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: