Skip to content

Bode: S’ka para për pagat e fundvitit

12/16/2009

Të gjitha drejtorive kryesore të administratës së shtetit dhe të institucioneve që paguhen nga buxheti u ka shkuar një shkresë, e cila ka fjalën “URGJENT” në kokë dhe mban datën 14 dhjetor. Kjo shkresë u është nisur edhe me e-mail një numri funksionarësh të lartë të administratës. Shkresa është një urdhër që përmban dy pika.

E para është bllokimi i “fondit të veçantë”, nga i cili do merreshin shpërblimet e përhershme të fundvitit (të parashikuara me VKM). E dyta, të mos paguhen pagat e muajit dhjetor (15-ditëshi i parë dhe i dytë). Sipas shkresës, “me urdhër të ministrit të Financës dhe me porosi të zv.ministrit, urdhërohet të gjitha degët e Thesarit ta bllokojnë plotësisht përdorimin e fondit të veçantë, për të gjitha institucionet… “. Më pas, në shkresë jepen disa sqarime teknike dhe shkruhet se efektet e urdhrit do të fillojnë që ditën e hënë. Në fund, thuhet: “Me porosi të drejtorit të Thesarit, ju sqaroj edhe njëherë se: Pagat e muajit dhjetor 2009 do të ekzekutohen vetëm në janar 2010″.
Historia e “fondit të veçantë” nis me një VKM të datës 25 nëntor. Në këtë VKM thuhet se qeveria miratoi “fondin e veçantë”, që parashikon nga 10 mijë lekë të reja shpërblim gjithë administratës. Kleçka e VKM-së është në pikën 8. Aty thuhet që “Ministria e Financave merret me këtë udhëzim”. Dhe është pikërisht Ministria e Financave që nxjerr sot shkresën e mësipërme, ku e bllokon “fondin e veçantë”.
Situata bëhet edhe më e qartë, po të lexosh sot një njoftimi të Këshillit të Ministrave ku, veç të tjerash, pranohet për herë të parë se në Shqipërinë e “sukseseve ekonomike” dhe “rritjes dyshifrore” paska krizë. Sipas tekstit të njoftimit të Këshillit të Ministrave, “Kryeministri Berisha priti dje ministrin e Financave, Ridvan Bode, së bashku me përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Në këtë takim, Kryeministri Berisha kërkoi që, pavarësisht nga ndikimet e krizës globale, të merren masat që punonjësve të administratës publike dhe 540 mijë pensionistëve të vendit të mund t’u jepet një shpërblim fundviti, sado modest të jetë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e njohën Kryeministrin Berisha me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti, por, nga ana tjetër, u mor përsipër të shqyrtohen të gjitha mundësitë për realizimin e porosisë së Kryeministrit”.

/Gazeta Libertas/

2 Comments leave one →
  1. Eri permalink
    12/19/2009 19:00

    Domethene Ponci Pilat lau duart…

Trackbacks

  1. Tweets that mention Bode: S’ka para për pagat e fundvitit « FUNKY FISH -- Topsy.com

Leave a comment