Skip to content

Mbyllet protesta maratone e PS. Rama: Berisha hap kutite, ose zgjedhje te parakohshme!

11/22/2009

DITA III,
Ora 13:30-Mbyllet protesta maratonë. Rama: Berisha 10 ditë afat, ose ik me zgjedhje të parakohshme

Protesta maratonë e PS e nisur të premten mbasdite u mbyll sot (e dielë ora 13:30 minuta) me një fjalë të kryetarit të socialistëve Edi Rama. Vetëm 10 ditë i ka lënë afat kryetari i socialistëve, Edi Rama kryeministrit Sali Berisha për fatin e kutive të votimit.
“Nëqoftëse Berisha nuk hap kutitë ne do ta ngremë popullin shqiptar dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme… Uroj që kjo javë e fundit e Nëntorit, java e festive kombëtare të sjellë dritën e arsyes në tunelin e pushtetit familjar e personal të Berishës”, tha Rama në fjalën që mbajti me rastin e mbylljes së protestës 3 ditore të Partisë Socialiste me qëllim hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.

Kryetari i PS e cilësoi ditën e sotme të përfundimit të protestave si një fillim të ri historik.
“Qëndruan 2 net më radhë dhe e gshimë këtu dhe nga sot beteja e shqiptarit për të drejtën e pangociueshme hyri në një fazë të re. Shqipëria nuk është ajo e 48 orëve më parë. Beteja jonë për hapjen e kutive, për transparencën e zgjedhjeve do të vazhdojë më tej, një betejë qyetare cdo ditë, me cdo mjet të protestës përballë një qeveria që brenda 10 ditësh, ose të hapë kutitë ose të pranojë rënien e saj”.

Duke falenderuar për pjasmarrjen në këtë protestë, më të gjatën në historinë e Shqipërisë, Rama theksoi se në asnjë mënyrë protestat që do të vijojnë nuk do të jenë të dhunshme. Ai tha se në cdo formë demokratike, do të kërkohet hapja e kutive.
“Kam dëgjuar me vëmendje shumë prej jush gjatë 48 oërve. Ndjeva si dhe ju të më rritet ndjenja e revoltës ndaj këtij pushteti që kërkon të grabisë. I mirëkuptoj thellësisht të gjithë ata ndër jush, ku padrejtësia e madhe e 28 qershorit duke u nxirë jetën përditë e më shumë ju con në mednimin se ky pushtet duhet shporrur me dhunë. Jooooo miqtë e mi, forca jonë qëndron tek forca që kemi mbi vete tek forca e arsyes, por me një valë të re protestash ku Berisha do të dorëzohet si uzurpator. Ne nuk vijmë nga dhuna e nuk nxisim dhunë”, tha Rama në fjalën përmbyllëse duke shtuar “Mirupafshim shumë së shpejti”.

Ora 12:30-Berisha: Nuk i hap kutitë. Protestat le te vazhdojne!

Kryeministri Sali Berisha i ka dhënë sot një tjetër përgjigje kategorike negative opozitës për hapjen e kutive. “Vendimi i Gjykatës është vendim dhe ata që nuk njohin rezultatin kane probleme me veten e tyre”eshte shprehur kryeministri pas nje ceremonie perkujtimore për gjuhetarin Selman Riza, eshtrat e të cilit do të dërgohen në Kosovë.
“Zgjedhjet kanë marrë certifikimin më të plotë të këtij vendi, ata që s’duan ta pranojnë kanë probleme me veten e tyre. Vendimi i gjykatës nuk mund të kthehet e përmbyset dhe as nga ai që thashë dje (Enver Hoxha), po u ngrit lugat për ti ndihmuar. Harrojeni se mund të bëhet kjo”, u shpreh Berisha i pyetur nga mediat rreth këtij fakti.
Kryeministri u shpreh se është i gatshëm të garantojë cdo protestë dhe sikur ajo të zgjasë 30 ditë e më shumë, porse nuk do të aprovojë asnjë vednim për hapejn e kutive. Berisha theksoi se i ka bërë PS një oefertë shumë të mrië që opozita duhet ta pranojë.
“Është detyrimi i imi madhor të garantoj protestën e cilitdo qytetar, tani vazhdon 3 ditë 30 ditë 3 muaj vazhdon në infinit, këto janë cështje jo të miat. Këto janë cështje që dalin jashtë kompetencave të mia. Absolutisht mbetem i hapur për dialog dhe kam bërë ofertë shumë solide e shumë serioze, por cdo gjë të bazohet mbi të vërtetën. Por nuk dal mbi vendimin e Gjykatës”, tha Berisha.

Ora 12:00 -Leskaj: Do ta përshkallëzojmë protestën

Deputetët socialistë që marrin pjesë në protestë masive për hapjen e kutive të votimit theksojnë se protesta do të përshkallëzohet. Edhe pse nuk japin detaje për mënyrën sesi PS do të vazhdojë të protestojë pas mbylljes së protestës së sotme për kutitë e votimit, zëra kryesorë në partinë socialiste shprehen se ka një plan konkret për të realizuar qëllimin e tyre. “Kjo nuk është mbyllja e protestës, por është fillimi i ri. Njerëzit kanë ndejtur këtu 3 ditë rresht dhe na kanë kërkuar të mos ndërpresim protestat. Do ketë ndonjë ndërprerje ditore, por sërisht do të ketë protestë”, tha Valentina Leskaj për TVNews24.
Leskaj pohon se cdo detaj do të bëhet i ditur në ditët në vazhdim. Deputetja socialiste bëri të ditur se protesta e nisur të premten para kryeministrisë do të mbyllet sot në mesditë.
“Përvec protestës masive, kjo padyshim është një prostestë që i adresohet jo vetëm të drejtave të shqiptarëve për të drejtat e votës, por protestë që synon ti japë fund korrupsionit, varfërisë e të gjitha problemeve që i marrin jetën sot padrejtësisht shqiptarëve. Ka një plan, për protestën, por cdo hap që ka të bëjë me ecurinë e këij kundërshtimi të madh ndaj qeverisë së pavotuar, do ecë sipas një plani konkret. Do ta bëjmë të ditur të gjithë zhvillimin e protestës. Sot e përfundojmë këtu këtë protestë që theksoj është vetëm fillimi. Nuk e kemi patur planifikim mbylljen mbasdite, dhe theksoj se nuk është e rëndësishme se kur mbyllet protesta, por e vërteta është se protesta që kërkon hapjen e kutive do të vazhdojë”.

Ora 10:30-Balla: Sot mbyllim me fitore betejën

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla pjesmarrës në mitingun për hapjen e kutive të votimit bëri të ditur për mikrofonin e TVNews24 se protesta e nisur të premten do të mbyllet sot ne mesdite në orën 12:00. Balla theksoi se protesta e pati një fitore pavarësisht kundërshtive të Berishës për hapjen e kutive të votimit. “Ne e fituam betejën ndaj skeptikëve, pasi përcollëm një mesazh të rëndësishëm”, tha Balla.
Ndërkaq deputeti socialist theksoi se mbledhja e grupit parlamentar socialist ishte thjesht konsultative dhe se nuk u dol në asnjë vendim përfundimtar”.
“Për ne Berisha tashme ka rënë”, u shpreh ndër të tjera Balla duke shtuar se protesta e nsiur të premten mbasdite pritet të përfundojë rreth mesditës. “Në orën 12:00 do të mbyllim një betejë”, theksoi Balla për TVNews24 që ka ndjekur hap pas hapi protestën disa ditore të PS

Protesta e PS, skenaret e rinj per hapjen e kutive

Ora 07:20-Grupi parlamentar i PS-së vendosi dje të radikalizojë qëndrimin ndaj qeverisë “Berisha”. Në mbledhjen që u thirr nga kryetari Rama në çadrat përpara kryeministrisë, u hodhën disa skenarë për radikalizimin e qëndrimit pro hapjes së kutive të votimit. Kështu mund të propozohet një mosbindje civile e përgjithshme ose mund t’i bëhet thirrje punonjësve të shërbimeve që të mos i binden ligjeve të qeverisë.
Opozita pritet t’u kërkojë ish-ushtarakëve, shoferëve të linjave urbane, punonjësve të administratës lokale, etj që të mos njohin autoritetin e qeverisë qëndrore. Një propozim tjetër ka qenë që protesta e ardhshme të zhvillohet më 29 nëntor një datë e rëndësishme për të majtën e cila përkujton çlirimin e Shqipërisë. Disa deputetë kanë propozuar që tashmë të kalohet në plane më radikale ku të propozohet zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, në përgjithësi ka mbizotëruar skenari që t’i jepet ultimatum maxhorancës për hapjen e kutive. Janë hedhur disa ide gjatë kësaj mbledhjeje, duke pasur parasysh dhe reagimin e Berishës paraditen e djeshme, i cili nuk ndryshoi aspak qëndrim sa i takon hapjes së kutive të votimit. Idetë e hedhura kanë qenë të shumta, që nga vazhdimi i protestës, deri dhe të kombinimi i kësaj proteste me atë të pushtetarëve vendorë apo me grupet e interesit, apo dhe zhvillimin e këtyre protestave dhe në qytete të tjera të vendit. Por, duket se asnjëra prej këtyre ideve nuk ka fituar apo nuk ka gjetur konsensusin e të gjithëve, prandaj është vendosur që të dielën pasdite protesta të mbyllet.

Ora:20:16- Përfundon mbledhja e Grupit Kuvendor. Majko: Ky është vetëm fillimi
Ka përfunduar mbledhja e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste e mbejtur në cadrat e ngritura para kryeministrisë. Deputeti socialist Pandeli Majko thekson për News24 se mbledhja ka qenë e karakterit organizativ, ndërkohë që sipas tij është diskutuar fakti se protesta e nisur dje do të jetë vetëm fillimi i një aksioni që do të përfundojë me zgjidhjen e krizës politike në vend.
“Takimi u mbajt në cadër për shkak të arsyes që na ka mbledhur, krizës politike që na ka prekur. Ajo qe u dikutua ishte se si do të orientohet situata në krizën politike që ekziston” theksoi Majko.

Duke nënvizuar se opozita nuk ka bërë asnjë deklaratë për përdorimin e dhunës në rast të mosgjetjes së dialogut me qeverinë, Majko theksoi se forca e PS-së janë 100 mijë njerëzit që kërkuan dje në shesh hapjen e kutive të votimit.
Ndërsa tha se në mbledhjen e Grupit Kuvendor nuk u mor asnjë vendim specifik në lidhje me etapat e tjera që do të ndjekin socialistët në mbrojtje të votës, Majko përmendi 5 dhjetorin si datën e radhës kur sërish do ti kërkohet qevërisë të bëjë transparencën e zgjedhjeve.

Ora: 19:17- PS mbledh Grupin Parlamentar në çadrat para kryeministrisë
Mblidhet Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pikërisht në cadrat e ngritura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Mbledhja e pazakontë ka si qëllim diskutimin në lidhje me hapat e mëtejshëm të opozitës pas mbylljes së protestës maratonë ditën e dielë.
Në mbledhjen e kryesuar nga Edi Rama janë të pranishëm afro 50 deputetë, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, dhe Spartak Ngjela. Pas perfundimit te mbledhjes pritet nje deklarate per shtyp, permes se ciles do te behen te ditura vendiemt e marra nga Grupi Parlamentar i PS.

Ora: 17:42 -Opozita vijon protestën në mbrojtje të votës
Opozita vazhdon qetësisht protestën e saj në mbrojtje të votës së 28 qershorit. Kreu socialist ka mbërritur në sheshin para kryeministrisë për tju bashkuar njerëzve të shumtë që kanë mbushur cadrat e vendosura në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Rreth orës 19:00 pritet të mbërrijnë në sheshin para kryeministrisë deputetët dhe grupi i protestuesve që do të kalojnë natën e dytë nën cadra.
Deputetet socialistë Namik Dokle e Taulant Balla akuzuan kryeministrin për shenjat e bëra prej tij në drejtim të turmës.

Dokle e Balla falenderuan pjesmarrësit e shumtë që po mbështesin aksionin e socialistëve në mbrojtje të votës.
“Falenderoj qytetarët për pjesëmarrjen. Do protestojmë me shpirtin e demokracisë. Për faj të Berishes ka vonesa në liberalizimin e vizave. T’i heqim vizën kësaj qeverie”, theksoi Dokle.

Ora:15:15- “Kutitë” Berisha: Nuk hapen as sikur të ngrihet Enveri. Rama: Shenja të frikës nga e vërteta
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama shigjetoi ashpër kryeministrin Berisha pas deklaratave të tij në Fushë Krujë se sikur edhe Enver Hoxha të ngrihej nga varri kutitë nuk do hapen. Në mënyrë ironike Rama e quajti Berishën një kloun të tmerruar nga e vërteta që fshihet brenda kutive.
“Sot në një çerek dritare të hapur të kësaj godine shurdhe, ai që me vota të vjedhura quhet kryeministër, u shfaq pas xhameve duke bërë shenja me gishta si një i marrë që ka humbur gojën dhe mendjen” theksoi Rama.

Kryesocialisti theksoi se qeveria po tregon shenja të frikës nga hapja e kutive duke sjellë si shembull edhe deklaratën e Ministrit të Shëndetësisë i cili dha alarmin e gripit të derrave, duke këshilluuar shmangien e grumbullimeve masive.

Ndërsa ka falënderuar qytetarët e pranishëm në protestën e madhe të opozitës, kreu socialist i ka bërë sërish thirrje kryeministrit në ditën e dytë të portestës për të hapur kutitë e votimit e për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Falënderoj me gjithë zemër rreth 100 mijë qytetarët që sollën nga Tirana dhe gjithë Shqipëria zërin për hapjen e kutive të 28 qershorit. Qytetarët përcollën një mesazh të qartë e të saktë në veshët e pushtetit” theksoi Rama.

Protesta e opozitës, jehonë në mediat e huaja
Protesta e opozitës që nisi një ditë më parë përpara kryeministrisë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Agjencia britanike e lajmeve Reuters, shkruante se opozita Shqiptare del në protestë duke kërkuar rinumërimin e votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Reuters i vuri theksin vendosjes së tendave në qendër të Tiranës përpara ndertesës së ekzekutivit si dhe numrit të madh të protestuesve në shesh.
Lajmi për protestën u pasqyrua gjerësisht edhe në agjencinë Franceze të lajmeve AFP. Në këtë artikull citohet lideri i opozitës, Edi Rama, i cili deklaron se kjo protestë që do të zgjasë tre ditë, është vetëm fillimi i një zinxhiri protestash për të detyruar autoritetet të hapin kutitë e votimit, brenda të cilave ndodhet e vërteta e zgjedhjeve te 28 qershorit.
Protesta përpara kryeministrisë u publikua edhe në prestigjiozen amerikane The Neë York Times, në mediat Italiane si agjencia e lajmeve, Ansa, TGcom dhe në ato ballkanase si South East European Times.

Ora 14.09 Protesta, Berisha: Edhe sikur Enveri te ngrihet, s’hap kutite
Kryeministri Berisha reagon ndaj protestës maratonë që vazhdon para godinës së kryeministrisë. Nga qyteti i Krujës, ku kishte vajtur për përurimin e një rruge, kreu i qeverisë ka deklaruar: “I bëj apel Ramës të vijë në Parlament. Jam i hapur për bashkëpunim. Nuk dal kundër vendimit të gjykatës. Edhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nuk mund të dalë mbi gjykatat.” Pak para se të udhëtonte drejt qytetit të Krujës, Kryeministri Berisha është parë duke përshëndetur me dy gishta protestuest nga dritarja e kryeministrisë

Ora 13.30 Protestuesit qëllojnë me vezë drejt kryeministrisë
Protestuesit kanë qëlluar me vezë godinën e Kryeministrisë. Incidenti ndodhi pasi deputetët e PS-së konstatuan se brenda oborrit të kryeministrisë ndodhej një makinë që përgjonte gjithçka ndodh në protestë. Është dashur ndërhyrja e deputetëve për normalizimin e situatës.

Deputeti socialist Fatmir Xhafa tha se në oborrin e kryeministrisë ndodhej një makinë që survejonte gjithë protestën. Madje sipas tij survejoheshin dhe celularët e opozitës.
“Kjo është qeveria e cimkave” – ka deklaruar deputeti Xhafa, ndërsa ish Shefi i SHIK-ut Fatos Klosi tha se në makinë ndodheshin dy antena që përgjonin telefonata të caktuara. Deputeti socialist Erion Brace ka kërkuar “largimin e makinës nga sheshi” 

Ora 10:40 Berisha përshëndet protestuesit nga dritarja e kryeministrise
Kryeministri Sali Berisha përshëndet sërish protestuesit nga dritarja e zyrës së tij në kryeministri. Ndërsa turma e protestuesve ishte mbledhur para godinës, duke edhur parulla për hapjen e kutive, dhe në podiumin e ngritur provizorisht mbanin fjalën deputetët socialsitë, kryeminsitri është shfaqur në dritare. Ai ka përshëndetur me dy gishta lart, simbol i Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë ka qëndruar për disa minuta në dritare ndërsa në shesh vijonin thirrjet e protestuesve kundër tij si dhe akuzat e deputetëve për deformim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 28 qershorit.

Edhe një ditë më parë pak para fillimit të protestës së opozitës për hapjen e kutive të votimit, kryeministri Berisha u shfaq në dritaren e Kryeministrisë duke përshëndetur në drejtim të të pranishmëve që ndodheshin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Berisha e ka konsideruar protestën e opozitës si “protestë antivizë”.

Ora 12.00 Deputeti Bare: Të dënohen manipulatorët e zgjedhjeve
Deputeti Besnik Bare deklaroi se kjo protestë dhe të tjerat që do të vijojnë për plotësimin e kauzës për të hapur kutitë do t’i japë fund imazhit të Shqipërisë që manipulon zgjedhjet.

“Manipulimi i votës, ushqen klanet, dhunën, psikikën e fisit. Shqipëria do të zvarritet dhe suksesi do të lidhet me mossukses. Të gjitha këto lidhen vetëm me një emër, Sali Berisha. Ne nuk kërkojmë vecse një gjë elementare por që është kushti i një tërë filozofisë të zhvillimit të demokracisë në BE: Të hapen kutitë. Kërkojmë transparencë. Përgjegjësi para ligjit për ata që fusin duart në kutitë e votimit. Kemi 20 vjet që jemi bërë simbol i moskryerjes së zgjedhjeve të ndershme dhe askush nuk është penalizuar në Shqipëri.

Deputeti Qefalia: Protesta, jo për karrige, por për votën e lirë
Deputetët e PS-së kanë nisur fjalimet në podiumin e ngritur para kryeministrisë rreth orës 10.00. Deputeti socialist, Xhemal Qefalia duke përshëndetur protestuesit dhe bëri thirrje që kutitë të hapen një orë e më parë. Qefalia theksoi se PS nuk do të futet në parlament pa hapur kutitë e votimit.
“Protesta jonë nuk është për të zënë disa vende dhe karrige në parlament, por do t’i japë fund një herë e përgjithomë vjedhjes së votës. Protesta është për të hapur kutitë që shqiptarët të mësojnë një herë e mirë se cfarë ka brenda. Nuk do të tërhiqemi. Nuk jemi 64 deputetë por 800 mijë deputetë që i thonë jo futjes në parlament pa hapur kutitë”

Protesta për hapjen e kutive. Protestuesit kalojnë natën e parë jashtë
Protesta e organizuar nga Partita Socialiste dhe partitë e tjera të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit dhe transparencën e votës hyri sot në ditën e dytë të saj.

Një grup deputetësh të PS-së, dhe vetë kryetari socialist Edi Rama të mbështetur dhe nga qindra qytetarë kanë kaluar natën jashtë para godinës së kryeministrisë në sheshin “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit janë akomoduar në 25 candrat e mëdha dhe të bardha të montuara në bulevard, të tjerë kanë lëvizur në këmbë përgjatë gjithë bulevardit.

Të ardhurit nga qarqe si Korca, Elbasani, Peshkopia, Tepelena, Gjirokastra, apo Vlora, përbënë grupin e parë të protestuesve që kaluan natën jashtë.

Të ndarë sipas qarqeve e rretheve, grupe-grupe, ata që ishin caktuar për të qëndruar natën e së premtes duke gdhirë dita e sotme, ajo e shtunë, kanë shtruar poshtë çadrave edhe copa të mëdha polisteroli, janë mbuluar me batanije, ndërsa disa të tjera janë ulur në stola.

Në cadra janë akomoduar dhe 45 deputetët PS, drejtues të partive të majta apo të qendrës së djathtë.

Ora 03.00 e mëngjesit të 21 nëntorit. “Kemi ardhur këtu për një qëllim të vetëm: Të hapen kutitë dhe do të rrimë këtu derisa të hapen kutitë dhe të dalin e vërteta në shesh” . thotë një protestues.

“Jam 77 vjet unë dhe këtu do të qëndroj deri të hënë. Nuk do të lëmë Berishën të hyjë në kryeministri”- shton një protestuese tjetër.
Ata tregohen të vendosur për të vazhduar protestën deri në hapjen e kutive.

“Nëse kryeministri e ka marrë me zotësi, atëherë le të hapë kutitë dhe të mbushë mendjen këtij populli, dhe të mos i lërë rrugëve këto njerëz”- vazhdon një protestues tjetër.

Për të përballuar të ftohtin e orëve të para të mëngjesit të 21 nëntorit në shesh u vendosën ngrohësa të furnizuar me gaz për ata që kaluan natën jashtë në trotuare.

Ora 03.30. “Duam votat tona”.- thotë një protestues i ardhur nga Fieri i cili shton “Nuk ikim pa parë votën tonë”.

Ora 04.00. Vendin e fjalimeve politike e zunë këngët polifonike të disa grupeve protestuese por dhe vallet popullore shqiptare të
cilat vijuan deri në agim.

Një tjetër grup protestuesish nga të tjera qarqe të vendit do të mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot në mëngjes për të vijuar protestën e cila është parashikuar të përfundojë rreth orës 18 .00 të së dielës.

20 nentor 2009
Montohen cadrat para kryeministrisë
Janë montuar 25 cadra përpara ambjenteve të kryeministrisë, në të cilat do të kalojnë natën 30 deputetë të PS. Grupi prej 30 deputetësh do të zëvendësohet nga një tjetër grup, ditën e nesërme në orën 8:00. Mes tyre pritet të jetë edhe kryesocialisti Edi Rama. Cadrat e ngritura përpara kryeministrisë do të qendrojnë aty për tre ditë rresht, ndërsa deputetë të Partisë Socilaiste kanë pohuar për News 24 se, protesta mund të vazhdojë edhe me muaj të tërë nëse nuk plotësohet kërkesa kryesore e tyre, hapja e kutive.

Nis ngritja e cadrave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Menjëherë pasi kanë përfunduar fjalimet zyrtare në protestën e opozitës të nisur 4 orë më parë, ka filluar puna për ngritjen e cadrave ku do të kalojnë natën mijra qytetarë bashkë me deputetët socialistë të kryesuar nga kryetari Edi Rama.
Përmes një proteste, që shihet për herë të parë në Shqipëri socialistët kërkojnë hapjen e kutive të votimit, duke paralajmëruar se në rast të përgjigjes negative të qeverisë , protesta do të përshkallëzohet në forma të tjera.

Brace për News 24 : Zgjedhje të parakohshme nëse Berisha nuk reagon

Për News 24 është prononcuar edhe deputeti Erion Brace. Ai përforëcoi bindjen se nëse Berisha nuk do të ndryshojë qendrimin e tij, do të kërkohen zgjedhje të parakohshme

“Do të jetë një natë e gjatë. Do të vazhdojmë deri në fund me protestë në forma të tjera, jemi shumë të vendosur për të cuar deri në fund mesazhin e 100 mijë njerëzve që ishin sot në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ne jemi këtu, ndërsa qeveritarët nuk ndodhen këtu, janë në rezidenca nëpër plazhe. Por ne kemi vetëm një qëllim që të përmbushen kërkesat, për ndryshe do të kërkojmë zgjedhje të parakohshme”, thekson Brace.

Dade për News 24: Berisha hap kutitë, nuk ke rrugë tjetër
Deputetja socialiste, Arta Dade e ndodhur mes grupit të deputetëve që do të kryejnë turnin e parë të protestës maratonë, është shprehur se kjo është protesta më e madhe që PS po bën në emër të demokracisë.
Sipas saj, Berisha nuk ka rrugë tjetër përvecëse të hapë kutitë e vjedhura.
Berisha nuk ka rrugë tjetër përvecëse hapjes së kutive, sa më shumë të vonojnë aq më keq për të. Ne kërkojmë transparencën e procesit zgjedhor që të kontrollojmë cdo blerje vote, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë ku kanë shkuar votat e tyre”, tha Dade.

Edhe Dade, u shpreh në një mendje me deputetët e tjerë, se nëse kutitë nuk hapen protestat do të përshkallëzohen.
“PS do të përshkallëzojë protestat, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike. Do të arrijmë atje ku duan ata që na kanë dhënë mandatin. Nuk largohemi nga sheshi pa arritur objektivin që kemi kërkuar, që nga 28 qershori”, thekson Dade.
Arta Dade përfundon fjalën e saj duke thënë se kjo protestë manifestoi culture qytetare, pasi këtu protestuan europianët e vërtetë që mbrojnë votën e lirë.

Balla për News24 : Protesta do vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve
Protesta e opozitës dhe mbështetësve të tyre për hapjen e kutive të 28 qershorit, tashmë ka kaluar në një fazë tjetër, atë të ngritjes së cadrave. Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla shprehet për News 24 se, kjo protestë sapo ka filluar. Sipas tij protesta do të zgjasë për 50 orë rresht, deputetë dhe mbështetës do të zëvendësojnë njëri-tjetrin në këtë maratonë të gjatë.

“Protesta do të zgjasë 50 orë rresht ku deputetë dhe mbështetës do të jenë me ne për ti treguar Berishës që kërkojmë jo thjesht hapjen e kutive, por zbulimin e krimit të tij”, tha Balla.
Sipas tij, vetë kryesocialisti Rama do të qendrojë në cadër deri nesër në orën 8:00, ndërsa të dielën në orën 18:00, do të jetë pika kulminannte e protestës.

Të dielën do të jetë pika kulminante e kësaj proteste. Në kutitë nuk fshihen vetëm votat por edhe krimet e Berishës dhe familjes së tij. Ai refuzon kërkesën se në ato kuti fshihet e vërteta e maskarallëqeve që Berisha ka bërë në 4 vite”, shprehet Balla.

Pyetjes se nëse Berisha nuk do të hapë kutitë edhe pas protestave, deputeti Sokol Balla iu përgjigj se, “Ne ia kemi bërë të qartë që nuk tërhiqemi, do marrim atë që zgjedhësit kërkojnë, ligjitimitetin e zgjedhje. Nuk duam ndryshim rezultati në tavolinë, por duam që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje ku votat numërohen mbrapsh. Nëse nuk plotësojnë kërkesat tona do të protestojmë me ditë edhe me muaj”, përfundon Balla.

Rama: Të vendosim forcën e ligjit mbi ligjin e forcës
“Sot më shumë se kurrë duam të provojmë se liria e votës dhe e drejta për numërimin e ndershëm të saj, janë liri dhe e drejtë që nuk blihet nuk shitet e nuk negociohet. Sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Europa” kështu e nisi fjalën e tij kryesocialisti Edi Rama përpara mijra qytetarëve që ju bashkuan sot protestës maratonë të socialistëve për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ndërsa theksoi se nga cënimi i zgjedhjeve cënohet cdo liri dhe e drejtë e qytetarëve, Rama nënvizoi edhe njëherë se integrimi i vendit nuk pengohet nga bojkoti i opozitës por, sic tha ai nga arsyet që cuan opozitën në bojkotimin e parlamentit.

“Futja e opozitës në Kuvend në kushtet e rënda të demokracisë, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet por do të rishfaqet në të ardhmen.” theksoi Rama.

Kreu i të majtëve paralajmëroi përshkallëzim të protestave të socialistëve duke thënë se aksioni nuk është luftë për pushtet por betejë për drejtësi e dinjitet.
“Kjo nuk është një luftë për pushtet, por një betejë për dinjitet e drejtësi që nuk na e jep dhuratë e sa na e merr dot peng pushteti i Berishës” tha Rama.
Ndërsa theksoi se zgjedhjet e manipuluara zvarrisin rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, Rama paralajmëroi se në rast të mos hapjes së kutive opozita do të kërkojë me forcë largimin e qeverisë.

“Shkurt dhe troc, në qoftë se kutitë do të mbahen të mbyllura, ne do të përdorim forcën për largimin e qeverisë deri në zgjedhje të parakohshme. Do të përdorim një të drejtë që nuk na e ndalon dot askush” theksoi Rama.
Ndërsa foli për situatën ekonomike të vendit duke pohuar se bizneset, pronarët e njerëzit e thjeshtë janë në krizë të thellë ekonomike, kreu socialist ja ka faturuar gjendjen e rëndë ,asaj që ai e quajti familje në pushtet me në krye Berishën.

“Faktet, provat dhe dëshmitë e ulën Shqipërinë në rangjet e vendeve më të korruptuara të botës. Berisha nuk po qeveris në respekt ëe kushtetutës, ligjit dhe barazisë, Berisha po sundon duke thyer ligjin e duke shkelur Kushtetutën për qëllime aspak të fshehura fitimi” u shpreh Rama.

Dokle: Nuk shkojmë në parlament pa u hapur kutitë
Namik Dokle, deputeti i Partisë Socialiste në fjalën e tij gjatë protestës përpara kryeministrisë, ka kërkuar si deputeti më i vjetër i kësaj partie që të hapen kutitë e votimit.
Dokle ka përsëritur edhe një herë se pa hapjen e kutive nuk ka kthim në parlament.
“Ne nuk shkojmë në Parlament pa u plotësuar kushtet e shqiptarëve, nuk shkojmë në Parlament pa u hapur kutitë e vjedhura, ne nuk shkojmë ne Parlament përderisa deputetët duken si kuaj të vjedhur. Qendroni me ne se edhe ne do qëndrojmë me ju” ka theksuar Dokle.

Ngjela: Të rrëzojmë tiraninë që të hapen kutitë
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela i bashkuar me protestën e opozitës për hapjen e kutive është shprehur se kjo është protestë e bërë në emër të lirisë së mohuar.
“Kjo është protesta më e madhe e bërë në emër të lirisë, kjo na ka nxjerrë në shesh për tu kthyer shqiptarëve rrugën e humbur dhe lirinë e mohuar”.
Ngjela është shprehur se, “sot ju denonconi krimin e Berishës me këtë pjesëmarrje masive. E keqja është më e rrezikshme së vdekja. Ne jemi të bashkur për ti thënë ndal të keqes më të madhe që është Sali Berisha”

Nuk është koha për brohëritje, është koha për të jetuar të lirë, shprehet Ngjela duke theksuar se ëndërron që shqiptarët të jetojnë të lirë pa tiraninë e Berishës.
“Kam një ëndërr që shqiptarët të jenë të lirë dhe të jetojnë të lirë në vendin e tyre. Shqipëria të jetë një shtet europian i lirë, atëherë ja ku jemi, ju dhe gjithë Shqipëria le të rrëzojmë sot tiraninë në Shqipëri, duke e detyruar sot tiranin të hapë kutitë e votimit”. Ngjela përfundon fjalën e tij duke thënë se hapja e kutive le të bëhet për vullnetin e popullit.

Leskaj: Sot Shqipëria sundohet, nuk qeveriset
Në protestën që ka më shumë se një orë që po mbahet përpara kryeministrisë ka folur edhe deputetja e Partisë Socialiste Valentina Leskaj.
Leskaj nuk ka humbur kohë të kërkojë hapjen e kutive të 28 qershorit.
“Arsyeja që prej 4 muajsh na mban peng që prej 28 qershorit është mbyllur në kutitë që po mban peng Berisha”
Sipas Leskaj, sot po protestohet për një kauz të madhe dhe jo për një kauz personale, protestohet për ti dhënë fund sundimit të kësaj qeverie.
“Shqipërisë i mungon e drejta e votës, jemi ketu për një kauz të madhe jo personale, kjo është e drejta e qytetarisë që ju e keni denoncuar në cdo qytet, në emër të lirisë dhe demokracisë, për ti dhënë fund sundimit të Sali Berishës. Shqipëria nuk qeveriset por sunddohet, por ne jemi të vedosur ti shkojmë deri në fund kauzës tonë”, thotë Leskaj.
Deputetja Leskaj ka akuzuar këtë qeveri për shkallën e lartë të korrupsionit duke u renditur në vendin e fundit në rajon.
“Kjo qeveri e ka lënë Shqipërinë në vendin e fundit në rajon, në vendin më të korruptuar në rajon.Kjo qeveri po na jep prova se është futur në një rrugë pa kthim”, thotë Leskaj.
Sipas saj ndryshimi fillon “me hapjen e kutive, për të mposhtur diktaturën e frikës, të korrupsionit, për ti kthyer shqiptarëve shtetin e së drejtës”. Në përfundim të fjalës së saj Leskaj theksoi se nuk do të futen në parlament pa u zbardhur e vërteta.

Milo: Po nëpërkëmbet demokracia
Në fjalën e tij Kryetari i PDS-së, Paskal Milo në protestën e hapjes së kutive ka thënë që duhet ti jepet fund antishtetit, pasi vendi ka nevojë për zgjidhje të krizës. Kjo sipas Milos është kauza për të cilën protestohet sot, për shtetin demokratik.

“Kauza jonë është e rëndësishme, nuk ka të bëjë me emrat e kandidatëve që iu mohua e drejta për të na përfaqësuar në Parlament. Thelbi është tek demokracia e dhunuar dhe e nëpërkëmbur, ku shqiptarët kanë mungesa të lirisë, për të votuar të lirë, për të administruar vullnetin në kutitë e votimit”, shprehet Milo
Milo thekson se, demokracia nuk ka mundur kurre te adoptohet në realitetin shqiptar. Ai ndalet të komentoje edhe vlerësimet e ndërkombëtarëve.

“Ambasadoret e BE shprehën keqardhjen për shkallën e korrupsionit. Por do të bënin më mirë që të mos raportojnë realitetin shqiptar duke mos rrumbullakosur gjysmë të vërtetat”, përfundon Milo.

Ndoka: Nuk tërhiqemi pa ndëshkuar politikisht hajdutët e votës
Kreu i demokristianëve Nard Ndoka i cili për herë të parë i bashkohet protestave të PS për hapjen e kutive të votimit, ndonëse kishte shprehur mbështetjen e partisë së tij për këto protesta, theksoi përpara qytetarëve të pranishëm në protesën e sotme se PDK ka provuar me fakte vjedhjen e 11 mijë votave nga ata që ai i quajti “mafia e Sali Berishës”.
“PDK u bashkua me protestën e opozitës pasi provoi me fakte se vota e qytetarëve është vjedhur nga mafia e Sali Berishës e cila ka vjedhur më shumë se 11 mijë vota” theksoi Ndoka ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetojë në varësi të fakteve të depozituara nga republikanët, të cilat sipas tij janë të mjaftueshme për të vërtetuar vjedhjen e votave.
“Faktet tona i depozituam në Prokurori, por për shkak të presionit të qeverisë, hetimi ende nuk ka nisur” u shpreh Ndoka.
Kreu i PDK theksoi se partia që ai drejton nuk do të tërhiqet pa ndëshkuar politikisht hajdutët e votave, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë qetësisht.
“Mos përdorimi i dhunës është arma më e mirë që simbolizon protestën. Ju ftoj të protestojmë qetësisht” tha Ndoka.

Dule: Vullneti politik mbahet i ngujuar në kuti
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule theksoi se vendi qeveriset nga një njeri që nuk mund ta cojë Shqipërinë në Bashkimin Europian për shkak se sic tha ai “në Bruksel nuk shkohet me vullnet politik të ngujuar në kutitë e votimit”.
Dule theksoi se drejt BE-së shkohet vetëm me transparencë, demokraci e institucione të konsoliduara.

Ruci: Hapni kutitë sot, se nesër do jetë vonë
Ashtu sic ishte paralajmëruar, protesta e Partisë Socialiste përpara Kryeministrisë, u hap nga deputeti Gramoz Ruci. Në fjalën e tij Ruci bëri me dije se, fillimi I kësaj proteste është vetëm fillimi i një qëllimi final kundër hajdutëve të mëdhenj të votës së lirë. Ruci ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë.
“Përshëndes këtë barrikadë të madhe njerzore e cila ngrihet ndaj hajdutëve të mëdhenj të shtetit”, tha Ruci.
Në fjalën e tij Ruci theksoi se Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga një njeri si Sali Berisha. Pasi ai është i etur për para dhe pushtet edhe pse deklaron se ka në pronësi vetëm një apartament.
“Nesër do të jemi edhe më shumë, jemi bashkë dhe mendojmë në një mënyrë. Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga banda e Sali Berishës, ai për para dhe pushtet është i gatshëm të djegë gjithë Shqipërinë. Ai që thotë se ka në pronësi vetëm një apartament e ka futur vendin në një tunel pa shpresë për të ardhmen”, thekson Ruci.
Ruci i ka bërë edhe njëherë thirrje Berishës të hapë kutitë e votimit se nesër do të jetë vonë.
“Ai këron të bëhet zot i votave të shqiptarëve. Ju votoni thotë ai se votat tuja i mbaj unë, ne i themi atij hap kutitë e votimit bëje sot, hapi kutitë se nesër do jetë vonë”!
Ruci shpreh se Berisha e ka djegur këtë vend 12 vjet më parë dhe po tenton edhe sot pas 12 të mbajë peng votat.
“Sot ketu 4 muaj pas proves se krimit electoral vota juaj eshte ende ne ate kuti.
Jemi në udhën e lirisë sonë, për të zgjedhur, për të drejtën e votës sonë, do ti themi jo sundimtarit të fundit në pushtet, atij që na vrau votën”
Ruci e ka mbyllur fjalën e tij duke iu kërkuar ndjesë kryeqytetasve për të vetmin incident të shkaktuar, atë të bllokimit të trafikut.
“Kërkoj ndjesë për një detaj. kërkoj ndjesë për problemet me trafikun, por me lejoni të them së asnjë sakrificë nuk është e tepërt. Kjo shërben për ti dhënë fund trafikut të votave, trafikut të dinjitetit”, përfundon Ruci.

Protestuesit mbërrijnë përpara kryeministrisë
Turma me qytetarët që i janë bashkuar protestës së madhe të opozitës në sheshin Skënderbej, e udhëhequr nga kryetari e deputetët e Partisë Socialiste dhe krerët e partive të tjera që janë solidarizuar me kërkesat e PS për transparencën e zgjedhjeve. Turma nën sloganet “Dua të shoh votën time” apo “Ku është vota ime” sapo ka mbërritur në sheshin përpara kryeministrisë, ndërsa i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me njerëz.

Ndërkohë ashtu sic pritej edhe deputetët e “Qëndrimit ndryshe në PS” i janë bashkuar protestës pasi ata janë shprehur pro kërkesave për hapjen e kutive të votimit ndonëse kundërshtojnë bojkotin e parlamentit.
PS ka treguar kështu se është e bashkuar kur bëhet fjalë për transparencën e zgjedhjeve.
Opozita do të ngrejë zërin përmes protestës 3 ditore për ti hapur rrugën transprencës së zgjedhjeve.

Hapja e kutive, opozita nis protestën maratonë
Nis protesta maratonë e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ashtu sic ishte parashikuar, tubimi ka nisur në orën 16:00 në sheshin Skënderbej, për të vazhduar më pas marshimin drejt bulevardit përpara kryeministrisë.
Opozita ka vendosur të ngrejë cadra në mes të bulevardit prej ku protestuesit do të qëndrojnë për tre ditë rresht përpara kryeministrisë.

Mësohet se deputetët socialistë janë të organizuar për të qëndruar nga 20 deputetë në 3 netët që do të vazhdojë protesta. Kryesocialisti pritet të qëndrojë në cadra gjatë natës së sotme.
Pranë cadrave që do të ngrihen përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”do të vendoset në mikrofon që do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë kohës, prej nga oratorë të ndryshëm do të japin mesazhet e tyre.
Socialistët theksojnë se do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre nëse Berisha nuk lejon hapjen e kutive të votimit. PS bën të ditur se protesta e sotme është vetëm fillimi, pas kësaj socialistët do të shpallin qeverinë të paligjshme dhe do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Leja për protestën është siguruar lehtë nga policia dhe nuk ka pasur ndonjë kundërshtim lidhur me afatin 3-ditor. Por, kundërshtimi i drejtuesve të policisë mësohet që të ketë qenë për vendosjen e çadrave në mes të bulevardit, para Kryeministrisë, aty ku do të qëndrojnë edhe njerëzit me orë të tejzgjatura. Organizatorët socialistë thonë se janë marrë të gjitha masat që protesta të jetë paqësore.

/BalkanWeb/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: