Skip to content

Taçi “Meron” Bazen.

11/03/2009

TIRANE- Presidenti i kompanisë Taci Oil hedh poshtë akuzat për sulmin ndaj gazetarit Mero Baze. Në një deklaratë për mediat, biznesmeni Rezart Taci i quan të rreme akuzat në lidhje me ngjarjen në lokalin “Caprico”, ndërsa mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj kryeredaktorit të gazetës Tema, duke saktësuar se nuk ka patur asnjë lloj kontakti fizik me të.

“Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtrorët, partnerët dhe palët e treta pa cënuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të veshtira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo media edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mija. Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkepunetorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj” thuhet në deklaratën e Thacit ndërsa nënvizon se është i gatshëm të përballet me drejtësinë.
“Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se jo vetem nuk është në karakterin tim të shmangem por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim” përfundon reagimi i Rezart Tacit.

Sulmi ndaj Bazes, Topi: Të zbardhet ky akt vandal
Presidenti Topi ka reaguar sot ndaj dhunes mbi gazetarin Mero Baze duke denuar me ashpersi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar. Presidenti shqiptar u kerkon organeve te shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara drejtësisë autorët e vërtetë.

Kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias.

Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve Shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë – perfundon deklarata e presidentit Topi

Ambasada SHBA: Të papranueshme presionet ndaj medias
Ambasada e SHBA shprehet e skandalizuar ndaj sulmit që iu bë gazetarit Mero Baze natën e mbrëmshme. Në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksohet se sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit.

“Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medias janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e Kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari” thuhet në deklaratë.
Ambasada e SHBA-ve kërkon hetim sa më të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes ndërsa shprehet e bindur për të vazhduar me forcë mbështetjen e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Rama: Sulmi ndaj Bazes nga klienti i familjes në pushtet
Edhe kreu i Partisë Socialiste , Edi Rama dënoi sulmin ndaj gazetarit Mero Baze duke hedhur akuza kundër kryeministrit Berisha në lidhje me këtë ngjarje.
“Mbrëme u bë nje sulm gjakatar ndaj një gazetari nga klienti i familjes në pushtet theksoi Rama gjatë një konference për mediat.

Rama nënvizoi se vendi ka mbetur pa qeveri dhe gjykata, ndërsa sipas tij kryeministri Berisha u jep imunitet agresorëve.
Kryetari socialist i bëri thirrje kreut të shtetit të mos heshtë kundrejt rasteve të tilla por të reagojë për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e medias, duke mos u pajtuar , sic tha ai me gjakosjen e një gazetari vetëm sepse denoncon korrupsionin e qeverisë.

Berisha dënon dhunën ndaj Mero Bazes
Kryeministri Berisha ka reaguar sot përmes zëdheneses se tij Juela Mecani ndaj dhune së ushtruar mbremjen e se henes ndaj gazetarit Mero Baze.

Në njoftimin për shtyp citohet se “Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë”.

Rreth ngjarjes, kryeministri i ka kërkuar policisë të zbardhë ngjarjen dhe të nxjerrë para ligjit autorët. “Kryeministri Berisha ju kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë”.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se “cënimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë”.

Incidenti
Gazetari hetues Mero Baze është goditur mbrëmë nga pronari i ARMO-s, Rezart Taçi dhe truprojet e tij në ambjentet e një lokali në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Policia sot ndaloi dy persona si autorë të ngjarjes ndërsa është vënë në kërkim të shtetasit, Rezart Taçi.

Gazeta Shqiptare bëri të ditur se mbrëmë pak para mesnate, Baze është goditur për disa minuta nga vetë Taçi dhe truprojet e tij tek po dilte nga lokali “Capricio”, në Tiranë. Në momentin e incidentit së bashku me gazetarin Baze kanë qenë edhe kolegët e tij, Andi Bushati dhe Arban Hasani. Menjëherë pas incidentit, Baze është shoqëruar në spitalin Ushtarak ku edhe i është dhënë ndihma e parë. Atje kanë shkuar forcat e policisë të cilët kanë marrë dëshminë e gazetarit Baze mbi këtë ngjarje. Mbrëmë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj deklaroi se forcat e rendit po merrnin dëshminë e të dhunuarit e më pas do të vepronin. Drejtori i policisë së Shtetit deklaroi dje se gazetari ka marrë mjekim për plagët që ka patur në trup.

Gazetari Andi Bushati tha mbrëmë për “Gazetën Shqiptare” se Mero Baze është goditur me grushte nga Rezart Taçi dhe më pas mbi të janë vërsulur 4 truprojet e tij. “Goditjet mbi Meron vazhduan rreth 4-5 minuta”, komentoi dje Bushati. Edhe Arban Hasani pohoi dje sulmin barbar mbi gazetarin Mero Baze. “Rezart Taçi po dilte me truprojat e tij nga lokali dhe u afrua tek tavolina jonë, ku po pinim kafe me Mero Bazen dhe Andi Bushatin. Pasi e fyeu Mero Bazen, Rezarti e goditi atë. Më pas, mbi Meron u vërsulën truprojet që shoqëronin Taçin”, tha për “Gazetën Shqiptare”, drejtori i lajmeve në Vizion Plus, Arban Hasani.
Sot reagon policia
Deri mbrëmë në mesnatë policia nuk kishte vendosur nëse do të vendosej arrest për Rezart Taçin apo do ta procedonte atë në gjendje të lirë. Incidenti me Mero Bazen i ndodhur pak para mesnate në zonën e Ish-Bllokut ka vënë në lëvizje sot policinë e Tiranës. Pas kallëzimit penal, policia ka ndaluar dy persona, Blerad Liro punonjës i “Taci Oil” dhe Yrgen Selfo ndërsa është vënë në kërkim të shtetasit, Rezart Taçi.
Konfliktet
Gazetari Mero Baze ka patur një konflikt në distancë me Rezart Taçin pasi ai ka shkruar gjerësisht në faqet e të përditshmes së tij “Tema” duke e akuzuar Taçin për kontrabandë. Botuesi i Temës është autor i dhjetra shkrimeve por edhe i disa emisioneve që kanë patur në qendër pikërisht praktikat e ndjekura për privatizimin e ndërmarrjes më të madhe të rafinimit dhe tregtimit të naftës në Shqipëri ARMO, e cila u ble një vit më parë nga biznesmeni Rezar Taçi, ndonëse fillimisht ky privatizim u shpall sikur ishte kryer nga një firmë Amerikane. Në artikujt e tij, Mero Baze ka folur për një aferë korruptive në këtë privatizim si dhe ka denoncur ato që i ka cilësuar si lidhje të interesit financiar mes sipërmarrësit Taçi dhe kryeministrit Berisha. Këto fakte duket të kenë qenë shkaqet e sulmit të dhunshëm të sipërmarrësit ndaj gazetarit Baze.

Kjo nuk është hera e parë që Mero Baze dhunohet për shkak të detyrës së tij. Pak vite më parë, ai u godit nga persona të afërt me deputetë të Partisë Socialiste. Për Mero Bazen ky nuk është incidenti i parë. Në fillim të viteve 2000 makina e tij u qëllua me një plumb, në rrethana që nuk u mësuan asnjëherë. Në vitin 2005 ai goditet nga persona të lidhur me disa figura të njohura të partisë socialiste në Tepelenë. Në fund të vitit të shkuar, gjatë orëve të natës, makina e tij përfundon në flakë papritur dhe në rrethana gjithashtu të pasqaruara. Ndërsa në të njejtën periudhë ministria e ekonomisë anullon një kontratë të nëshkruar me të për mjediset ku ishin vendosur zyrat e gazetës Tema dhe tipografia e saj. Policia rrethoi vendin dhe që prej asaj kohe nuk e la më Bazen dhe gazetarët të hynin. Sipas Bazes, të gjitha këto veprime kanë qenë të lidhura me qëndrimin kritik që ai ka mbajtur ndaj qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha.

/Balkan Web/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: