Skip to content

Teksti i “Historisë së Shqipërisë”: Opozita organizoi rebelimin komunist më 1997

09/28/2009

Opozita, duke shfrytëzuar edhe tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike…. – 2001, vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur… Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë…” – HISTORIA 12, Dr. Beqir Meta, prof. Dr. Muharrem Dezhgiu dhe Xhevair Lleshi

Rihapen debatet për hartimin e historisë së Shqipërisë në tekstet shkollore. Një deklaratë e deputetes socialiste, Ledi Shamku Shkreli ka vënë në optikën e opinionit publik tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar për klasën e 12, profili natyror, i cili sipas saj është i politizuar dhe si rrjedhojë kërkoi heqjen e tij nga qarkullimi. Ky libër është një nga tekstet alternative, botuar nga shtëpia botuese “Uegen”, me autorë prof. Dr. Beqir Meta, prof. Dr. Muharrem Dezhgiu dhe Xhevair Lleshi. Ky tekst ka mbi të “vulën” nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, e cila përmes një komisioni aprovon tekstet shkollore. Pa i hyrë në “analizë” brendisë së gjithë tekstit, ato faqe të cilat kanë hapur debatin janë pikërisht ato që i përkasin periudhës së pas vitit ’90 dhe që vetë historianët e pranojnë se është një ndër më të vështirat për t’u trajtuar, duke qenë se bëhet fjalë për një periudhë bashkëkohore, protagonistët e të cilëve janë aktivë në jetën politike të vendit. Duke shprehur “pikëpamjet e tyre”, siç thonë vetë autorët, në tekst gjen shprehje dhe terma, të diskutueshëm, të tipit “rebelim komunist”, “grusht shteti”, “flamur reformash”, etj. Kështu në tekstin ku trajtohet “Viti ’97 dhe pasojat e tij” shkruhet: “Opozita, duke shfrytëzuar edhe tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike”. Autorët shprehen qartë se opozita e atëhershme është shkaktare për përmasat që morën protestat e vitit 1997. Historiani Beqir Meta thotë se ky është një fakt historik, ndërkohë që kolegu i tij, prof. Xhelal Gjeçovi nuk e pranon një gjë të tillë. “’97-a nuk ka qenë “rebelim komunist”, por një konfrontim shumëplanësh, fatkeqësisht me armë, që ka pasur shkaqe, të cilat duhen shpjeguar me qetësi”, – thotë Gjeçovi. Mjafton kaq për të thënë se cilësimet e përdorura në tekstin në fjalë janë të diskutueshme. Më tej, autorët trajtojnë të tjera ngjarje në vijim, të cilat duken si të shkruara më së shumti me pasion se sa mbi kritere shkencore. Ndërsa trajtohen ngjarjet e vitit 1998 shkruhet: “Ethet për ta çuar vendin në kaos të përsëritur dukeshin sheshit. Kështu, një vit më vonë, në 12 shtator 1998, u vra deputeti demokrat Azem Hajdari, vrasje e cila çoi në ngjarjet e shtatorit 1998, që mori pamjen e një grushti shteti…”. Ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën, deri në “epokën e re” të hapur nga Sali Berisha “me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar…”. Teksti “Historia 12” me autorë Meta-Dezhgiu-Lleshi është vetëm një nga variantet, që i ofrohet nxënësve të gjimnazeve dhe duke qenë se tekstet janë me zgjedhje, të rinjtë e së njëjtës moshë do ta mësojnë në variante të ndryshme historinë e vendit tonë.

PS: Studiuesit e Berishës po vjedhin historinë

Falje publikë dhe tërheqje të menjëhershme të botimit nga qarkullimi. Partia Socialiste denoncoi dje botimin e teksteve ku në mënyrë flagrante po politizohet historia e Shqipërisë, në shkelje të hapur me ligjin, ndërsa kërkon që autorët të kërkojnë falje publike. Deputetja Ledi Shamku Shkreli akuzoi qeverinë se në shkelje flagrante me ligjin po ndikon në edukimin politik të brezit të ri. Sipas saj, PS kërkon tërheqjen nga shkollat të librit të historisë 12, dhe falje publike të autorëve që kanë hartuar këtë tekst. “Sali Berisha do të vendosë sërish diktaturën në Shqipëri. Libri i Historisë së gjimnazit këtë vit dëfton sesi studiuesit karagjozë të këtij diktatori po u vjedhin shqiptarëve historinë, duke i sajuar faktet e tranzicionit ashtu siç i do oreksi i sulltanit më të ri të Shqipërisë”, u shpreh Shamku. Shamku në deklaratën e saj përmend edhe arsyen se pse PS nuk po hyn në Kuvend. “Nuk mund të hyjë sepse shoqëria shqiptare duhet mbrojtur nga thonjtë e këtij diktatori në instalim, që pasi u vodhi shqiptarëve votat, tash po orvatet t’u vjedhë edhe historinë” – përfundon Shamku.

pjese nga libri

Në zgjedhjet e majit 1996 Partia Demokratike arriti të fitonte shumicën parlamentare. Këto zgjedhje u kontestuan nga Partia Socialiste, e cila urdhëroi bojkotimin e tyre duke tërhequr komisionerët ditën e votimit. Në këtë mënyrë procesi zgjedhor u dëmtua seriozisht, duke pasur shkelje nga të dyja palët, pozita dhe opozita.

Opozita, duke shfrytëzuar edhe tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike. Vetëm një pjesë e vogël e vendit mbeti nën ndikimin e qeverisë.

Në fillim të marsit 1997 u bë një marrëveshje midis partive politike, e cila çoi në formimin e qeverisë së stabilitetit, nën drejtimin e socialistit Bashkim Fino. Ndërkohë u caktua edhe dita e zgjedhjeve që u fituan nga partia Socialiste. Në fillim të muajit korrik 1997 dha dorëheqjen e detyruar edhe presidenti i vendit Sali Berisha.

Vendit iu desh kohë të rifitonte veten nga ngjarjet dramatike të vitit 1997. Kaosi, anarkia, vrasjet e shumta (sidomos në qytetin e Vlorës e të Beratit), vendimi i bandave të armatosura, veprimtaria e të ashtuquajturave “Komitete të shpëtimit kombëtar”, mungesa për një kohë të gjatë e policisë dhe forcave të tjera të rendit e të qetësisë, krijuan probleme të shumta, nga të cilat vendi do ta merrte veten shumë vonë. Qeveria socialiste, që erdhi në pushtet nën drejtimin e Fatos Nanos, nuk arriti dot të vendoste rregullin e qetësinë, ndonëse në vendin tonë ishte vendosur një forcë ndërkombëtare nën drejtimin e Italisë dhe të NATO-s.

Viti 1997 do të mbyllej për pjesën më të madhe të vendit në kaos. Në zgjedhjet e 26 qershorit 1997 ishte organizuar edhe referendumi për formën e qeverisjes: Republikë Parlamentare, apo Mbretëri Kushtetuese. Pati shumë kontestime për rezultatin e këtij referendumi, i cili u cilësua si i manipuluar, por në autoritetet zgjedhore nuk kishte fituar Republika Parlamentare.

Presidenti i vendit u zgjodh Rexhep Meidani, socialist. Shqipëria po ecte me hapa të ngadalta ekonomike dhe politike. Opozita demokratike po e merrte veten pas atij sulmi të egër që kishte pësuar në vitin 1997. Ethet për ta çuar vendin në kaos të përsëritur dukeshin sheshit. Kështu, një vit më vonë, më 12 shtator 1998, u vra deputeti demokrat Azem Hajdari, vrasje e cila çoi në ngjarjet e shtatorit 1998, që mori pamjen e një grushti shteti…”.

Në këtë ditë u pushtuan me forcë institucionet qendrore të vendit, radiotelevizioni publik dhe kryeministri i vendit u largua nga Shqipëria. Me tërheqjen e forcave që mbështesnin opozitën, qeverisjen e vendit e mori Ilir Meta, një nga drejtuesit e PS.

Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Asocim-Stabilizimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit.

Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë.

Beqir Meta ngul këmbë: Kam sjellë fakte, jo komente

Alma Mile

Një nga autorët e tekstit shkollor “Historia e Popullit shqiptar” për klasën e 12-të, historiani Beqir Meta thotë se libri është mbështetur mbi fakte historike. Ai nuk pranon se në të ka komente, por se kjo vepër është ndërtuar mbi “pikëpamjet e grupit të punës”, ngritur mbi fakte të mbledhura nga media, raportet etj. Ai shprehet tërësisht i vetëdijshëm për disa terma, apo shprehje të përdorura gjatë trajtimit të periudhave historike 1990-1997-2005. Sipas tij, ato janë shprehje e fakteve të pranuara nga të gjithë, si kur bëhet fjalë për “flamur të luftës antikorrupsion”, apo “epokë e re”, që i vishen qeverisjes së drejtuar nga Sali Berisha, apo “rebelim komunist”, kur flitet për protestat e vitit 1997.
Z. Meta ju jeni bashkautor i Historisë së Popullit Shqiptar për klasën 12, mbi të cilën janë shprehur rezerva për “ngjyrimet politike”, ç’mund të na thoni?
Është një vepër e balancuar. Për çdo qeveri kemi pasqyruar anët pozitive dhe negative të tyre. Jemi përpjekur të jemi korrektë. Kjo është një periudhë e vështirë, e cila do të ketë patjetër të prekur nga të dyja palët, por ne e kemi parë në këndvështrimin e interesave kombëtarë.
Cila është metodologjia që ndiqet për hartimin e një vepre të tillë?
Jemi bazuar mbi informacion të përgjithshëm të marrë në media, raportet ndërkombëtare, raporte që flasin për nivelin e korrupsionit e të tjera dokumente. Pra, nuk ka komente, por është një renditje suksesive e ngjarjeve. Analizat kërkojnë një kohë më të gjatë. Do të kishim qenë më komodë, ta mbyllnim veprën me vitin ’90, por historia duhej mbyllur deri në fund.
Në libër janë përdorur disa shprehje, të cilat mund të lexohen si ngjyrime politike…
Termat shprehin pikëpamjet e grupit të punës. Nëse marrim si shembull shprehjen “flamurin e luftës antikorrupsion”, dihet se në fushatën elektorale Sali Berisha mori pikërisht këtë flamur, apo moto, e të cilin fitoi zgjedhjet dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Gjithashtu, nëse themi “epokë e re”, është pranuar se Shqipëria bëri një hap përpara. Zgjedhjet u pranuan nga ndërkombëtarët dhe u hapën perspektiva të reja për Shqipërinë, e cila më tej hyri në NATO, nënshkroi MSA-në, u kryen reforma. Por ne kemi pranuar gjithashtu edhe të metat e kësaj qeverie, pra kemi dhënë të dyja anët e medaljes.
Ndërsa protestat e ’97-ës i keni konsideruar si “rebelim komunist”…
Është e njohur që protestat e vitit 1997 kanë ngjyrim të majtë. Opozita e atëhershme nuk shërbeu për të shuar revoltat, por i nxiti më tej për të marrë pushtetin. Ne mund edhe ta linim pa ngjyrim, por nuk mund të linim pa trajtuar fenomenin. Opozita e atëhershme shfrytëzoi kolapsin e krijuar nga firmat piramidale e të tjera ngjarje të kohës.

Gjeçovi: ’97-a, jo rebelim komunist

Pa dashur të vërë në dyshim punën e kolegëve të tij, historiani prof. Xhelal Gjeçovi thotë se terma me ngjyrime politike nuk duhen përdorur në historiografi. Duke marrë shembull shprehjen “rebelim komunist” me të cilët autorët e Historisë së Popullit Shqiptar për klasën 12 (profili natyror) etiketon ngjarjet e ’97-ës, Gjeçovi thotë se një term i tillë, përdorej përpara viteve ‘90 për të denigruar kundërshtarin politik.
Historiani prof. Xhelal Gjeçovi, i kontaktuar me telefon mbi debatin e hapur për trajtimin e historisë shqiptare në tekstin shkollor të klasës së 12, deklaroi: “Unë nuk kam parasysh se si është trajtuar kjo çështje në tekstin e dy kolegëve të mi. Gjithashtu, nuk jam në dijeni të vërejtjeve që ka bërë PS mbi të. Sa i përket termit “rebelim komunist”, ky është një term politik, jo shkencor, që është përdorur në të kaluarën, kryesisht para vitit 1990 dhe përdorej zakonisht për të denigruar forcat kundërshtare. Edhe ne i kemi përdorur rëndom në të kaluarën terma të tillë, por sot, kurrsesi dhe në asnjë rast nuk i përdorim ato. Ne si historianë, nuk duhet të provokojmë, por të shpjegojmë gjërat me qetësi, me argumente dhe me një gjuhë sa më të qartë. Madje do të thosha se ’97-a nuk ka qenë “rebelim komunist”, por një konfrontim shumëplanësh, fatkeqësisht me armë, që ka pasur shkaqe, të cilat duhen shpjeguar me qetësi, si mund të quhet “rebelim komunist”, kur në të, madje, në krye të ashtuquajturit “rebelim komunist” kanë qenë disa figura, që sot janë ministra në kabinetin qeveritar që sapo u formua?”

/Peshku Pa Uje/

One Comment leave one →
  1. mersil permalink
    01/19/2012 18:17

    mirmbrema! une kam nje fjali per kyt problem. me na i qi ropt komunistat e qelbur me na i qi te vdeknat.nga une mersil culaj prej recit te malesise se madhe.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: