Skip to content

RROKOPUJA E KAPITALIT SOCIAL SHQIPTAR

09/25/2009

Në shkencat politike gjithnjë e më shumë po zë hapësirë studimi i rolit të të ashtuquajturit ‘kapitali social‘, në zhvillimin e një vendi. Lidhur me këtë temë, spikat puna e Robert Putnam, i cili zhbironte se çfarë e bënte funksionale demokracinë. Përse në disa vende, institucionet demokratike mbijetojnë e në disa vende të tjera dështojnë? Në librin “Vënia e demokracisë në punë: traditat qytetare në Italinë moderne” (Making Democracy Work: Civic Traditions in Modern Italy), ai bën një analizë të thellë të qeverive rajonale të Italisë dhe del me disa konkluzione, që nxjerrin në pah vlerën e madhe të kapitalit social në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë.


Kapitali social nënkupton atë masë mirëbesimi social, normash dhe rrjetesh që mund të përdoren nga njerëzit për të zgjidhur probleme të zakonshme. Këtu përfshihen institucione, marrëdhënie apo zakone e tradita, të cilat karakterizojnë ndërveprimin social të individëve. Sa më të shumta e të shpeshta të jenë këto rrjete aq më shumë rritet shansi që anëtarët e komunitetit të bashkëpunojnë për përfitime të ndërsjella. Po kështu rriten përfitimet që vijnë prej mirëbesimit, reciprocitetit, informacionit dhe bashkëpunimit që përftohet prej këtyre rrjeteve sociale. Një numër gjithnjë e më i madh studimesh po e dëshmon qartë që kapitali social është shumë i nevojshëm për të zhvilluar ekonominë dhe demokracinë e një vendi, si edhe për ta bërë këtë zhvillim të qëndrueshëm e jetëgjatë. Për këtë arsye, madje institucione ndërkombëtare, si për shembull Banka Botërore, ka nisur projekte konkrete që synojnë të rrisin kapitalin social, duke besuar se me anën e kësaj rritjeje do mund të përmirësohet efikasiteti dhe qëndrueshmëria e aftësive të një komuniteti për të zgjidhur problemet e veta.

Kur flitet për kapital social bëhet fjalë për rrjete të angazhimit social, si për shembull shoqatat artistike, joqeveritare, klubet sportive apo të tjera bashkësi bashkëpunimi që mbledhin individë të interesuar në aktivitete kolektive. Me kapital social kemi të bëjmë edhe kur një fqinj ruan shtëpinë e fqinjit, kur ky i fundit është me pushime, kur mund të shkohet te dyqani poshtë shtëpisë e të blihen mallra, pa pasur rrezikun që janë të skaduara, kur mund të blesh një bluzë me besimin që është markë origjinale, kur gjithë pallati mbledh paratë për të ndërtuar një pompë të përbashkët uji e jo duke ndërtuar secili pompën e vet, kur gjithë banorët e një rrugice dalin të pastrojnë rrugën dhe nuk shqetësohen vetëm për oborrin e tyre.

Rolin e besimit në zhvillim e ka trajtuar hollësisht edhe Fukuyama, në librin e tij “Besimi: Virtytet sociale dhe krijimi i begatisë”. Fukuyama mendon se, një ndër arsyet pse vende si Japonia e Gjermania dominojnë në tregun botëror, ka të bëjë pikërisht me faktin që këto vende karakterizohen nga rrjete të shumta organizatash vullnetare dhe strukturash komunitare, ndaj të cilave individët kanë nënshtruar interesat e ngushta. Sipas tij, vetëm shoqëritë që zotërojnë nivele të larta të besimit social mund të krijojnë biznese të mëdha dhe fleksible, duke u shkëputur nga bizneset e vogla familjare. Kjo, pasi besimi i lartë ul kostot administrative, rrit besueshmërinë institucionale dhe mundëson krijimin e organizatave të mëdha dhe efikase që përfshijnë shumë njerëz. Nga ana tjetër, ai vëren se vendet që kanë besim social të ulët vuajnë nga korrupsioni dhe trafiku i influencës, si edhe karakterizohen nga organizata të vogla e joefikase. Gjithashtu, vihet re se ndjesia më e madhe e afërsisë, solidaritetit dhe përkujdesjes reciproke në një komunitet ndikon në uljen e kriminalitetit. Tregtia dhe bizneset mund të zmadhohen dhe shtohen, nëse rritet niveli i besimit dhe mirëkuptimit midis bashkëpunëtorëve, ortakëve apo partnerëve. Edhe arsimi është parë se ecën përpara, nëse komuniteti është më i përfshirë.

Rënia e kapitalit social është parë si një fenomen shqetësues shumë i pranishëm edhe në vendet e zhvilluara të pasura me kapital social, mirëpo sondazhet e Eurobarometrit tregojnë që niveli i kapitalit social në vendet ish-komuniste është shumë më i ulët se sa ai i vendeve perëndimore. Fatkeqësisht, regjimi komunist i zhduku konceptet e shoqërisë civile, filantropisë, bamirësisë, pluralizmit, duke e dëmtuar rëndë dimensionin e kapitalit social. Edhe ato punë që thirreshin ‘vullnetare‘, në fakt ishin të detyruara, duke i dhënë vullnetarizmit një emër të keq. Kuptohet që ne, duke pasur edhe një komunizëm më të rreptë se në çdo vend tjetër komunist, me përjashtim mbase të Koresë së Veriut, kemi pasur si trashëgimi, pas rënies së komunizmit, një kapital social më të vogël.

Periudha postkomuniste nuk është shoqëruar me një lulëzim domethënës të kapitalit social në Shqipëri. Lëvizjet migratore, qoftë migracioni i brendshëm e qoftë emigracioni drejt vendeve të Perëndimit, kanë penguar farkëtimin e sensit të komunitetit, të lidhjeve sociale. Po kështu, struktura ekonomike që na karakterizon është kryesisht e bazuar te bizneset familjare me pak punonjës dhe jo te ndërmarrjet e mëdha, ku të përfshiheshin në punë shumë individë që nuk kanë lidhje familjare apo origjinë të njëjtë. Edhe feja, si një ndër institucionet kryesore të ndërveprimit social, u çrrënjos aq keq gjatë komunizmit në Shqipëri, sa ribërja e ligjshme e besimit fetar nuk u shoqërua me një rilindje të pasionit fetar në masë në vendin tonë.

Për ta matur nivelin e kapitalit social shqyrtohen disa elemente. Së pari, studiohet pjesëmarrja qytetare, konkretisht e shprehur nga anëtarësia në parti politike e organizata joqeveritare, përfshirja në institucione fetare, në sindikata, në grupe interesi e në shoqata për interesa të veçantë artistike, sportive e kulturore. Gjithashtu, dimensioni i kapitalit social matet edhe nga niveli i besimit që ekziston në shoqëri. Me besim, në këtë rast, nënkuptohet se sa të besueshëm i konsiderojnë të panjohurit individët e një shoqërie. Mjafton të shikojmë dritaret me hekura, të mbërthyera mirë edhe në katet e treta, si edhe muret e larta dhe gardhet e pakapërcyeshme, me të cilat rrethohen oborret e shtëpive përdhese, për të kuptuar nivelin e ulët të besimit që mbizotëron në vendin tonë.

Një tjetër element matës është dendësia e rrjeteve sociale. Mirëpo edhe këtu nuk është se ka ndonjë numër të madh organizatash formale apo joformale aktive në shoqërinë shqiptare. Niveli i altruizmit, i shprehur në formën e parave të dhëna në bamirësi ose në numrin e individëve të angazhuar në punë vullnetare, në Shqipëri mbetet përtokë. Po ashtu, pesha matet edhe duke parë impaktin e këtyre rrjeteve sociale në jetën e përditshme. Edhe këtu është më se e qartë që e gjithë shoqëria jonë vështirë se shikon ndonjë zgjidhje të problemeve individuale apo shoqërore tjetërkund, përveçse te shteti. Shoqëria civile mbetet jashtëzakonisht e dobët dhe kryesisht mund të konsiderohet si instrument në dorën e politikave apo prioriteteve të vendosura prej donatorëve më shumë se sa një përgjigje e nevojave dhe interesave të shoqërisë.

Në të tilla kushte, duket qartë që problemet e demokracisë në Shqipëri nuk kanë të bëjnë vetëm me çështje institucionale, politike apo ekonomike, por edhe me ato kulturore. Shoqëria jonë, përveç të tjerave, ka nevojë që të arnojë atë copë tekstili që i mban njerëzit bashkë, të ripërtërijë e të forcojë indet apo ligamentet që e mbajnë bashkë këtë shoqëri. Me pak fjalë, zhvillimi nuk vjen vetëm nëpërmjet institucioneve më të konsoliduara, partive politike më efikase dhe bizneseve më fitimprurëse, por edhe prej aktiviteteve të përditshme të secilit prej nesh, nëse ne vendosim që t‘i marrim më seriozisht marrëdhëniet njerëzore e të përkushtohemi më shumë ndaj dimensionit tonë social. Pra, duke u përfshirë në më shumë grupime, që mbledhin njerëz me interesa të njëjta arti, sporti apo feje, për të rritur shanset që të bëjnë miq të rinj e që i përkasin një sfondi tjetër personal; duke ndihmuar një njeri tjetër, që ka probleme me makinën; duke kaluar më pak kohë para televizorit e më shumë kohë me miqtë; duke dalë në votim e duke u anëtarësuar nëpër parti për t‘i ndryshuar gradualisht nga brenda; duke u ushtruar në palestër apo dalë për vrap me të tjerë; duke përshëndetur dhe biseduar me fqinjët; duke marrë pjesë në çdo aktivitet kulturor që organizohet në zonën ku jetohet; duke ripërtërirë kontaktet me miq të vjetër, duke dhënë dhurata; duke përshëndetur njerëzit pak të njohur rrugëve; duke thënë ‘faleminderit‘ kurdoherë që jepet mundësia e duke e mbajtur derën hapur për njeriun që vjen prapa kur hyjmë në një ambient publik. Fare pak njerëzillëk mund të bëjë diferencën!

Adri Nurellari

One Comment leave one →
  1. 12/22/2011 23:32

    Shume mir. Me pelqeu e gjithe kjo. A ka mundesi me ma dergu ne email se nga cila literatur dhe cilet autor keni lexuar deri ne formulimin e kesaj teme, sepse me duhet per seminar.
    cdo te mira

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: