Skip to content

Në China Town-in shqiptar

09/23/2009

“Ae ba ni ya gong he guo” do të thotë kinezisht “Republika e Shqipërisë”. Më pas ky togfjalësh vijon nga vetë kinezët qëndrues në Shqipëri me një mbiemër “di la na shi”, që në gjuhën shqipe do të thotë “shumë mirë”.
Kemi gati pesëdhjetë vjet që hera-herës rrugët e vendit tonë janë kryqëzuar me ato të Kinës. Nëse për disa kohë ishte mikja jonë më e mirë e më pas u kthye në armiken tonë, sot e parë nga një këndvështrim i thjeshtë i së përditshmes shqiptare në rrethana, kohë dhe mënyra, bashkëjetesa jonë po shkon vaj.

E thënë më ndryshe, ne dhe kinezët tanë këtu bëjmë një jetë simbiozë të kënaqshme, ku energjinë më të madhe të kësaj mbijetese e jep tregtia.
Kinezët kanë gati rreth një dekadë e gjysmë që po na servirin tregtinë e tyre (më shumë se shërbimet të cilat radhiten më pas) që përmban mallra të një cilësie jo shumë të mirë, por që janë më shumë se të pranueshme për xhepin e hollë të shtresës më të madhe të popullsisë së Shqipërisë. Servirja me lugë të këtilla në mënyrë biunivoke mes të dyja vendeve janë jo shumë të shijshme si servirje të tipit “high class” por një fast food që të heq urinë si zgjidhja më e fundit e mirë e mundshme.
Me një “menu” të tillë (ashtu siç bëjnë pothuajse në të gjithë botën) kinezët ose “China Town” ynë në Tiranë, e kanë mbuluar tregun tonë me mallra “made in China” më shumë se ato të vendeve të tjera.
Me kinezët, jashtë ekonomisë

Edhe pse marrëdhëniet ofertë–kërkesë shkojnë në paqe bashkë, bashkëjetesa shqiptaro – kineze jashtë kësaj fushe duket se rrjedh qetë dhe pa zë.
Të ngacmuar nga stili i jetës së njerëzve të verdhë, të ardhur nga një vend komunist, pikërisht në Shqipëri menduam t’ju trokisnim në derë e të pinim ndonjë çaj me disa prej tyre, por jo sipas traditës kineze, por sipas sonës, pra duke pyetur, pyetur dhe vetëm pyetur se si i kanë punët ata, problemet, arsyet apo dhe fitimet (duke u marrë me punët e të tjerëve, me atë rast harrojmë dhe tonat).
Përgjigjet që morëm i nxorëm me grep, kjo ndoshta për arsyen se ata mendojnë që Kina komuniste do t’i ndëshkojë edhe këtu për lirinë e fjalës dhe mendimit, si dhe mbase heshtjen e kanë dhe gjenetike si popull ose dhe traditë, ndoshta dhe për faktin sepse ne ju dukëm të bezdisshëm, apo thjesht duke e analizuar vetëm me mënyrën vizive të ngjarjes, sepse iu pëlqen të praktikojnë ndonjë stil cirku, siç ua do tradita me hedhje topash, por që në këtë rast topat ishim ne, sepse na tregonin dyqanin përballë ose në krah për përgjigjet e kërkuara, duke na e kthyer kuriozitetin tonë në një ndeshje ping pongu me të ngecura mes lojtarëve të së njëjtës ngjyrë, ngjyrës së verdhë.
Por përveç marrjes me tregtimin e mallrave industriale, emigrantët kinezë në vendin tonë merren dhe me punë të tjera, ku ndër më kryesoret radhiten profesionet si ndërtues, kuzhinierë, doktorë, fizioterapistë etj.
Madje kinezët e profesioneve të mësipërme u treguan edhe më të gatshëm për të ndarë me ne përjetimet e tyre në vendin tonë.
Shumica e kinezëve, sipas përgjigjeve që morëm, e njihnin Shqipërinë nga marrëdhëniet e shkuara të disa dekadave më parë, por përveç kësaj arsyet pse pikërisht duhej të zbarkonin në Shqipëri kanë qenë se pozicioni ynë përkon mu në qendër të Evropës, duke të dhënë një mendim flash që si bazë jemi më logjistikja drejt qendrës së Evropës. Përveç kësaj, fitimet ishin një tjetër arsye madhore, pasi nëse në vendin e tyre paguheshin rreth 20 euro në muaj, këtu marrin shumë e më shumë, aq sa për t’u ndier me ekonomi të mirë. Por për kinezët e emigruar këtu nuk mungojnë as arsyet e ardhjes nga rastësia apo dhe nga ndonjë ftesë e ndonjë miku, tregtari shqiptar apo dhe nga fjalët e komshiut sesi e lavdëronte tregun e ri që sapo kish zbuluar.
Nga sa u shprehën, qoftë dhe për pak çaste, të gënjente mendja se ëndrra amerikane mund të gjendej dhe këtu, por asnjëri prej tyre nuk pretendonte të superpasurohej në viset tona. Ata kërkonin dhe punonin për një jetë më të mirë, më të mirë se andej nga kishin ardhur.
Jeta e kinezëve në Shqipëri
Jeta e kinezëve në vendin tonë nuk ndryshon shumë nga ajo mes njëri-tjetrit.
Disa prej tyre e kanë vizitën e tyre të parë në Shqipëri dhe e shohin si një vizitë eksperimentale, ndërkohë që disa të tjerë e flasin shqipen pothuajse si ne, të ngjashëm me ndonjë dialekt të rëndë tonin. Dhe ky atashim në gjuhë e shënon mirë të zezën mbi të bardhë për të treguar se vija lineare e qëndrimit të tyre është zgjatur prej ca vjetësh dhe se ndoshta kockat e tyre do të prehen këtu. Madje disave ju kujtohet dhe fjala e parë shqip që kanë mësuar dhe që ka qenë emri i kombit tonë “Shqipëri”. Fëmijët kinezë sigurisht e flasin dhe më rrjedhshëm shqipen, sepse ata shkojnë në shkollë, mësojnë me lehtë dhe janë më të hapur me njerëzit. Për të mëdhenjtë është disi më e vështirë, por që me një këmbëngulje optimiste pranojnë që do të përpiqen akoma dhe më shumë për përvetësimin e shqipes.

Jetesa nëpër banesa mund të jetë më e përafërta gjë që mund të bëjnë me ne, banorët autoktonë të Shqipërisë. Banesat i kanë kryesisht nëpër apartamente, me jo më shumë se dy dhoma dhe një kuzhinë, me mobilim të lirë, por të saktë dhe më shpesh me qira se sa të blera.
Nëse do të ishte një lojë kuiz me gjej ndryshimin mes dy banesave të njëjta në pamje të parë dhe të banuara nga shqiptar dhe kinezë, ndryshimi më i theksuar do të ishte frigoriferi.
Më saktë frigoriferi do të emërohej si ndryshori kryesor dhe kjo nuk do të vinte as për nga forma, as për nga marka e as për nga ushqimet në të, sepse siç na tha doktori Wu Cunmin i “Magic Center”, oriz blini ju, oriz blejmë dhe ne. Po kjo vlen dhe për miellin dhe për produktet e tjera. Thelbi është te gatimi, pasi ne praktikojmë kulturën tonë të gatimit me produktet e njëjta.
Të gjitha çudive tona mbi kuzhinën kineze (që shpesh na është dukur e çuditshme dhe e papranueshme) na u përgjigjen se “Kina është mbretëria e ushqimi”, ndërkohë që dhe ne kemi disa restorante kineze këtu që kanë sjellë pjesë nga ajo mbretëri gastronomie.
Për sa i përket praktikimit të feve, kinezët janë pothuajse të gjithë budistë, fe kjo e cila në të shumtën e kohës adhurohet me shpirt, kështu që mungesa tempujve apo riteve të fesë budiste nuk sjell ndonjë problem as për praktikuesit e as për fanatiket e feve të tjera.

Probleme me vendasit nuk kanë pasur dhe madje tregojnë mirënjohje karshi krijimit të kushteve të volitshme që ne kemi krijuar për punën e tyre.
Dhe përveç kësaj, probleme racizmi, trojesh apo dhe inatesh nuk kanë nxjerrë krye deri më sot.

Jeta e një kinezi këtu nuk ka shumë ndryshim nga jeta jonë.
Mëngjesi fillon me një kafe dhe ora mesatare e fillimit të aktiviteteve të tyre është ora 08:00. Punë deri rreth orës 16:00 dhe më pas në shtëpi, ku dhe hanë dhe drekën e gatuar me receta kuzhine kineze.
Pasditja vijon me punë të tjera rregulluese, ose planifikuese dhe më vonë argëtimet ndryshojnë sipas tipave, mundësive apo dhe rrethanave. Disa prej tyre praktikojnë sportet si artet marciale, gjimnastikë kineze, cirk ose dhe thjesht një vrap të rregullt nga liqeni artificial, ku ndonjëherë stërviten dhe me biçikletë. Por ia vlen të ritheksohet që koha e lirë është shumë e pakët për ta, për të mos thënë fare, sepse puna është kryefjala e vetme e emigrantëve kinezë në vendin tonë

Kinezët dhe shqiptarët
Nuk para prononcohen shumë në lidhje me ndjenjat, por dhe kur disa prej tyre e bënë, u treguan shumë të dashur dhe pozitivë në maksimum me opinionet e tyre në lidhje me ne.
Për ta ne jemi të dashur, shumë punëtorë dhe popull mik (që nga komunizmi). Lëvdatat nuk mungojnë as për përzemërsinë tonë e as për intelektin.
Asnjë për be nuk tha asnjë mendim jo të kënaqshëm për ne si popull. E megjithatë kjo na nxori nga rruga kryesore në tre rrugica bija që ishin; ose ne jemi vërtet aq të mirë, ose ata na duan shumë ose liria e fjalës është vetëm e Mao Ce Dunit.
Ne parapëlqejmë të besojmë dy të parat, kjo dhe për faktin që ne kemi disa vite që jetojmë në demokraci, arsye kjo që dhe ndoshta ka sjellë të tjerë tregtarë kinezë këtu për të shijuar deri diku lirinë.
Për sa i përket martesave, përgjigjet ishin tamam si prej Kine, ku thoshin se të martoheshin me shqiptarë do t’iu pëlqente, por kjo nuk mund të ndodhte, pasi ata ishin të martuar dhe kishin emigruar këtu familjarisht. Përveç kësaj, një beqare ose beqar kinez mund të martohej me ndonjë shqiptar, por këta të fundit nuk para i pëlqenin si shok ose shoqe jete, kështu që dhe këtu stafeta na ngel ne prapë në dorë. Një kinez madje i emigruar fillimisht në Amerikë dhe me pas në vendin tonë për biznes ndërtimesh më pranoi në çastin që po e intervistoja se dy vajza shqiptare e kishin propozuar për martesë këtë pranverë.
E ardhmja
Asnjë parashikim nuk ka kur marrëdhëniet e thjeshta tregtare, ekonomike apo dhe sociale shqiptaro-kineze nuk pësojnë ulje apo ngritje amplitudash.
Ata kërkojnë paqe mes dy vendeve dhe sigurisht ne e duam akoma më shumë.
Deri në çastin ku çdo gjë ecën drejt dhe mbi kornizën e dhënë dhe deri kur të dyja palët jemi nga të gjitha anët që mbulojmë të kënaqura dhe të kompensuara, një e ardhme si e sotmja do të ishte më e mira, sepse ne sot bashkë me ta po jetojmë më të mirën në “bashkëjetesën” tonë.

Intervistat
Wu Cynmin, doktor i “Magic Center”
Kur ke ardhur në Shqipëri?
Kam mbërritur në Shqipëri më 15 dhjetor të 2006-s. Është hera e parë që vij.
Mendimet e para që të fluturuan në mëndje sa erdhe këtu?
Mendimi parë ishte se ky vend është shumë i bukur, pasi i ka të katërta stinët duke i dhënë vitit shumë ngjyra.
Po detyra e parë që i vutë vetes cila ishte?
Ishte të vetëzhvillohesha dhe të përhapja teknikën e agopunturës, si dhe për të kontribuar për popullin e Shqipërisë që të gëzojë shëndet të plotë.

Si ju duket shqipja si gjuhë?
(qesh) Ka shumë vështirësi për mua. Do ta mësoj dalëngadalë.
Po shqiptarët? Por më thuaj të vërtetën?
Shumë të përzemërt dhe shumë punëtorë, pasi nuk kursejnë për punën.
Çfarë planesh keni?
Nuk e kam vendosur akoma, por mendoj në këtë mënyrë nëse populli këtu ka nevojë dhe nëse ndjehem i domosdoshëm në këtë vend, atëherë do të qëndroj gjatë këtu.
Nga cili vend jeni?
Me origjinë jam nga provinca e qendrës jugore Henan. Në krahinën tonë është qyteti Sheolin qytet që e ka bekuar perëndia.
Të kemi ngjitur ndonjë zakon?
(qesh) Jam bërë i apasionuar pas kafesë.
Po nga historiku Kinë – Shqipëri ç’dini?
Unë di këtë, që miqësia mes dy vendeve tona do të rrojë me shekuj. Kjo miqësi është krijuar që nga koha e Mao Ce Dunit themeluesit. Personalisht dua që miqësia të jetë e pafundme.
A është e vërtet që ju hani edhe minjtë edhe krimbat?
Po të them vetëm një fjali. Në Kinë është mbretëria e ushqimit. Aty gjen dhe qumësht dallëndyshesh.
Epo ne nuk kemi qumësht dallëndysheje, si ja bëni ju për të ngrënë?
Për mua në Shqipëri nuk mungon asgjë. Marrim produkte të njëjta dhe i gatuajmë sipas traditës sonë.
Ç’farë i karakterizon kinezët si popull?
Për mendimin tim ne dëshirojmë që me të gjithë popujt të jemi miq.
Do më thuash ndonjë recetë bukurie kineze?
Para se të flini, lyejini fytyrën me të bardhë veze dhe pastaj shpëlajeni pas 30 minutave. Ajo ju shtrëngon gjithë muskujt e fytyrës dhe ju jep nja farë relaksimi.

Dashao Daunte, tregtar

Si është dita juaj nga mëngjesi deri në darkë?

Në mëngjes pas orës 08:00 filloj aktivitetin privat. Më pas pushimi i drekës dhe pasditja është orari më i mirë për sport.

Po me praktikimin e fesë si ja bën?
Unë jam budist dhe Budën e kemi gjithmonë në zemrën tonë.

Kam dëgjuar që kulmi i bukurisë së përzierjeve të racave është fëmijë nga një femër kineze me një mashkull kubanez.
(Qesh) nuk e di, por di të them që ti ngjan si kineze.

Lorena Kollobani

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: