Skip to content

Kukësi me dy tehe, nën mina dhe filantropi

09/20/2009

Qyteti i Kukësit duket në pamje të parë si një plak i qëmotshëm, që dremit i mbështetur me supe në malin e Gjallicës, me qeleshen e reve të hedhur mbi sy dhe me një zemër që bën dritë edhe jashtë trupit.
Shqipëria nuk është Blloku, virtytet e arta të shqiptarit nuk janë transformuar të gjitha në kafe dhe look, “big brother” nuk është absolutisht heroi i jetës…
E vërtetë është se ngjyra gri dhe heshtja e Kukësit nuk janë grahmat e fundit të këtij qyteti… Qyteti ku frika se këmba mund të hidhej në erë në vend që të cikte e sigurt tokën ka marrë fund. Kuksianët nuk e kanë harruar ende kohën kur trazirat dhe lufta që ngjau në Kosovë u bë rrezik dhe për jetën e tyre. Ky qytet nuk është renditur, përveç kësaj periudhe, asnjëherë në ndonjë hartë për sondazhe –laborator. Rajoni i ekspozuar ndaj bombardimeve sistematike serbe mori përsipër mbi 3.350 predha artilerie që u hodhën mbi fshatrat kufitare, duke goditur objekte deri në 25 km thellësi në territorin e Qarkut Kukës. Në këtë sipërfaqe të pamat u mbyllën një numër i madh minash antiperson pa llogaritur ato surprizë, antitank, predhat e kalibrave të ndryshme dhe materiale të tjera luftarake të paplasura.

Këto fakte u përkujtuan sërish në një projekt të bërë nga shoqata ALB-AID, duke sjellë në një vëmendje sensibilizuese edukimin mbi rrezikun e minave.
Qarku i Kukësit prej 23.374 km katrorë dhe me një popullsi prej 111.393 banorësh është ende në luftë. Ky qytet, por dhe zonat në afërsi të tij u granatuan dhe u minuan deri në 1000 metra thellësi, duke krijuar krizën e minave.
Nga viti 1999 deri në 2005 në zonën e Hasit, Bajram-Currit dhe të Kukësit ka pasur rreth 270 viktima, ndër të cilët 72 kanë qenë fëmijë. Pjesa dërmuese e të mbijetuarve nga minat jetojnë në terrene malore dhe të izoluara në këto zona dhe pjesa më e madhe e viktimave të minave kanë nevojë për shërbim mjekësor të vazhdueshëm, të cilin e marrin kryesisht prej infermiereve që punojnë në ambulancat e fshatrave, ose në spitalet e rretheve përkatëse.
Minat nuk u binden parimeve morale, ato nuk duan ta dinë për moshën dhe kohën. B. Kovaçi është një i ri që është aksidentuar bashkë me dy moshatarët tij kur ka qenë vetëm 12 vjeç. Atij iu deshën minimalisht një vit për t’u rehabilituar, ndërsa më pas do të mbaronte studimet për ekonomik. Ndihma që i është dhënë Kovaçit bëhet me të gjithë të dëmtuarit e minave. Në mars të vitit 2005 është ngritur pranë spitalit të Kukësit “Qendra e Riparimit të Protezave”, me qëllim kryerjen e riparimeve të protezave dhe me pas prodhimin e protezave për gjymtyrët. Një rast tjetër i ngjashëm është dhe ai i Arif Bashës, i lindur në 1979, i cili u plagos duke humbur këmbën e tij të djathtë nga shpërthimi i një mine TAM në Shishtavec, më 18 qershor të 1999-ës. Për t’u kujdesur për këta të gjymtuar është ngritur një rrjet mjekësor që përbëhet nga infermierë, të cilët punojnë në zonat e minuara dhe mjekë specialistë (neurologë dhe fizio-terapistë) nga spitali i Kukësit. Pajisjet mjekësore janë dhuruar në këtë vend, ndërsa stafi i cili punon në këtë qendër kanë kryer trajnime jashtë shtetit. Po ashtu, edhe një komplet pajisjesh fizioterapie i janë dhuruar spitalit të Kukësit me fondet e Qeverisë Franceze dhe Komunitetit Evropian. Protezat transradiale, estetike dhe funksionale përgatiten kryesisht nga doktor Shehu, i cili është edhe eksperti i qendrës së riparimit të protezave dhe prodhimit të tyre. Mrekullia e këtij spitali është se ato prodhohen falas për nevojtarët. Është më se e dhimbshme kur në raftet e kësaj qendre vëren modele allçie të këmbëve të një fëmije për protezat e ardhshme të fatkeqit të vogël, i cili mund të ketë pasur fatin e keq dhe të ngjashëm me atë të vajzës nga Nikoliqi i Komunës Golaj, e cila u plagos më 6 maj 1999. Por në të njëjtën kohë dhe mbushesh me ndjeshmëri humane, admirim kur stafi, që punon aty, shumica ish-të gjymtuar nga minat, punojnë me një dhembshuri prindi për cilëndo proteze, ndërsa pas kësaj, rehabilitimi i të aksidentuarve vijon me ushtrimet e fizioterapisë. Ne, si gazetarë gati e morëm me sportivitet këtë “palestër” që u shpëtonte jetën atyre nga gjymtimi i përjetshëm. Fjala “palestër” për kryeqytetasit që nuk e kanë idenë se ç’do të thotë të ecje mbi mina dhe të të shembet këmba mbi tokë, do të thotë për ironi një celulit më pak dhe muskuj më shumë. Sidomos këtyre të televizioneve që iu duhet pamja e bukur. Por e kalova shpejt këtë përfytyrim arrogant me atë çfarë ndodh mes nesh – njerëzve të atij vendi dhe kryeqytetasve me jetë të zhurmshme, pa vëmendje. Për këtë mision ishim atje, të zgjonim ndërgjegjen tonë dhe të vinim në provë ndjeshmëritë.
Një funksionalist do të thoshte që një pjesë e trupit njerëzor kur shkëputet prej tij nuk ka më asnjë funksion, por analogjia vjen teksa sheh persona të tillë të gjymtuar me këtë apo atë pjesë të trupit, të cilët duken sikur e tejkalojnë funksionin njerëzor, duke i lartësuar ata mbi egot, por edhe mbi altruizmin. Nëse kryeqyteti deri dje ishte shpresa për cilindo të sëmurë, kuptohet i sëmurë i majmë në xhepa në të shumtën e rasteve, është qyteti i Kukësit vendi nga ku nga fatkeqësia lind humanizmi, një vend i cili të bën të mendosh se profecia ka ardhur që nga pozicioni gjeografik i tij hartor si kokë e Shqipërisë, e cila kontrollon obezitetin e barkut Tiranë. Heshtjen e këtij qyteti e thyen vetëm mirësia dhe mesazhi i atyre që ne nuk i pamë si “big brother”, të cilët me anë të tij nuk kërkojnë as famë e as lekë, e mbi të gjitha as mëshirë, por shpërhapin një urtësi legjendash me anë të së cilave kërkojnë të informojnë dhe mbrojnë viktimat e tjera të minave, por dhe fëmijët apo banorët e tjerë të këtij qyteti.
Ironia e fatit kur një nga të gjymtuarat nga Kukësi shkon në Tiranë të kërkojë të blejë protezë këmbe dhe më pas të kthehet në Kukës, pa atë nuk duhet të përsëritet më. Ajo që kërkohet në qiell më shpesh gjendet në tokë dhe ka gjasa edhe në pragun e derës tënde. Fatkeqësitë që ju kanë ndodhur Agim Roçkës, Fetish Ferhatit, Filip Zenelit, Urim Haxhiut etj., të mos të ndodhin më.

Medea

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: