Skip to content

Pellumb Xhufi: Vota ime është për Edi Ramën

09/07/2009

Zoti Meta ka një llogari për të dhënë përpara atyre dhjetëra mijë votuesve të LSI-së, që i trajtoi si katapultë për të çuar në pushtet veten dhe ndonjë si veten. Kryetari i LSI-së ka humbur partinë, është një gjeneral pa ushtri”, – kështu e ka komentuar nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi lëvizjen e z. Meta. Në këtë intervistë (aspak) verore Xhufi nuk mund të mos bëjë një analizë të të gjitha këtyre zhvillimeve të nxehta politike. Ndërkaq Xhufi ndalet edhe tek zhvillimet brenda selisë rozë, ku tregohet kritik ndaj Ben Blushit dhe ndjehet “i detyruar” që nëse do t’i duhej të votonte për të majtën, vota e tij do të ishte për Edi Ramën. Ndihet i zhgënjyer nga politika dhe prandaj ka vendosur të “dalë” nga rreshtat e njerëzve të politikës. “Por sigurisht do vazhdoj të flas e të them mendimin tim modest”, – tregon ai, ndërsa nga ana tjetër pohon se do t’u përkushtohet më tepër studimeve të tij si historian.


Zoti Xhufi, si e keni përjetuar këtë verë të nxehtë, jo vetëm si klimë, por edhe me zhvillime po aq të nxehta politike?
Ka qenë një verë e nxehtë, gjë që nuk është pak për një njëri si unë që nuk e duron dot vapën dhe mezi pret fillimin e stinës së shirave. Ka qenë gjithashtu një verë e ngarkuar dhe e trazuar me ngjarje. Megjithatë, si vapa e parashikuar nga meteorologët, ashtu edhe zhvillimet politike nuk ishin një befasi për mua, ndaj i kam kaluar pa panik e me qetësinë e duhur.
Pak ditë më parë kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta i dhanë jetë koalicionit të tyre qeverisës. Cili është komenti juaj në këtë rast?
Në fakt, sa i përket lidershipit të LSI-së ky koalicion ka funksionuar me një ritëm të programuar gjatë gjithë këtyre 4 vjetëve. Ajo çka z. Meta ka prodhuar gjatë kësaj periudhe ka qenë një luftë e egër, herë-herë e drejtë dhe e përligjur, por shpeshherë edhe e padrejtë dhe e paprinciptë kundër vetë opozitës së përfaqësuar para së gjithash nga PS-ja. Opozita e tij ndaj qeverisë së z. Berisha ka qenë gjithë-gjithë një tog fjalësh të padëmshme, që nuk prishnin thelbin e marrëdhënieve të tij me z. Berisha dhe me ministrat e tij, dhe që nuk ishin thjesht marrëdhënie “fjalësh”. Mund të them madje, se z. Meta mërzitej shumë kur ne të tjerët dilnim jashtë llogores “së paqes” të përcaktuar nga ai dhe denonconim politika dhe afera të qeverisë Berisha: z. Meta donte ta kishte LSI-në si një instrument të drejtuar vetëm kundër PS-së dhe kundër z. Rama. Shumë pak pra për një forcë politike që ai vetë na e shiti në vitin 2004 si katalizatorin e një të majte të re, të një opozite të fortë dhe të një morali të shëndoshë në politikë.
Sa janë pyetur forumet e LSI-së për koalicionin me Berishën?
Ka më se një vit që vendimmarrjet e rëndësishme të LSI-së janë bërë jashtë forumeve të partisë e në padijeni të kryesisë. Janë konsultuar vetëm individë të jashtëm dhe mjedise interesi. Kështu u veprua kur u deklarua dalja nga koalicioni e krijimi i një koalicioni të ri, kur u shpall beteja familjare e butaforike për buxhetin e Bashkisë, kur u deklarua miqësia pa miqësi e plot enigma me Fatos Nanon, e sigurisht kur u shpall koalicioni i interesave të vogla (të paktën sa i përket komponentit LSI) me qeverinë Berisha.
Pavarësisht qëndrimit tuaj, a mendoni se do të rezultojë i suksesshëm ky koalicion?
Për momentin i vetmi lajm i mirë që lidhet me koalicionin në fjalë, është që z. Meta më në fund ka gjetur paqen e shpirtit. Siç mund ta keni vënë re, i kanë rënë xhindet që e kanë shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve, është i qetë e i lumtur aty në krah të z. Berisha. A thua se deri tani ka bërë jetën plot rreziqe e strese të një diversanti të hedhur në kampin armik… Por qetësia e z. Meta nuk përbën një garanci për suksesin e kësaj qeverie. Sepse kryeministri nuk është ai, është një tjetër, dhe ai tjetri nuk fle i qetë mbi dafina, sidomos kur ato ia shtrojnë të tjerët…Por kjo ka të bëjë me luajalitetin e krushqve të rinj ndaj njëri-tjetrit. Ajo çka parashikon mot me re në jetën e këtij koalicioni, është së pari fakti që ky ka lindur mëkatar. Z. Meta i mori edhe ato 4 mandate vetëm falë një retorike dëshpërimisht “opozitare” e anti-Berishë, që përdori në javët e fundit të fushatës. Sigurisht në ujdi me z. Berisha, që nuk kishte arsye të shqetësohej nga ky shpërthim i papritur i “pishtarit të tij të demokracisë”. Pra, z. Meta ka një llogari për të dhënë përpara atyre dhjetëra mijë votuesve të LSI-së, që i trajtoi si katapultë për të çuar në pushtet veten dhe ndonjë si veten. Kryetari i LSI-së ka humbur partinë, është një gjeneral pa ushtri. Dhe këtu qëndron dobësia e tij, që në momentin e duhur z. Berisha do t’ia shfrytëzojë. Sa për cilësinë e kësaj qeverie, duke pasur parasysh edhe ndonjë “prurje” të re, më bëhet të them që kjo është një qeveri që do t’i shkundë xhepat e qytetarëve akoma më shumë se qeveria e mëparshme. Dhe me siguri nuk do të jetë një qeveri “atdhetare”, siç nxitoi ta paraqesë (për të justifikuar turpin) ministri i ri i Jashtëm, që shumë shpejt do ketë rastin ta tregojë atdhedashurinë e tij.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste është shprehur se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe madje thuhet se do të bojkotohet parlamenti. Si i keni ndjekur ju këto zhvillime brenda selisë rozë?
Së pari, më duket se ashtu si në rastin e tragjedisë së dhimbshme të Gërdecit, që e përdori vetëm për fushatë zgjedhore, edhe kontestimi i zgjedhjeve dhe bojkoti i parlamentit përdoret gjithashtu me vonesë për të fshirë përgjegjësitë për dështimin e paralajmëruar të 28 qershorit. Kur them përgjegjësitë, këtu nuk kam parasysh vetëm përgjegjësitë “sovrane” të z. Rama, por edhe të gjithë atyre që e inkurajuan dhe ndoshta e shtynë atë në këtë rrugë dhe që sot pretendojnë të marrin kreun e PS-së. Sigurisht përjashtoj këtu z. Lakrori e deri diku z. Malaj, që nuk iu bashkëngjitën orientimit autokratik dhe aventurës vetëvrasëse të një reforme kushtetuese e zgjedhore me frymëzim berishian. Unë jam plotësisht dakord me z. Meta kur thotë se PS-ja është po aq përgjegjëse për mbarëvajtjen, apo dështimin e zgjedhjeve, sa vetë PD-ja. Megjithatë, nuk mund ta kapërdij kur ai bën që tani zëdhënësin e z. Berisha (do ketë kohë ta bëjë si ministër i Jashtëm) dhe deklaron se zgjedhjet kanë qenë korrekte. Sepse ka qenë ai vetë, që ditën kur filloi numërimi i votave shpërtheu në akuza kundër “masakrës” zgjedhore të realizuar si nga PS-ja, ashtu edhe nga PD-ja. Gjithsesi, kauza e kontestimit të zgjedhjeve më duket e komprometuar nga vetë përgjegjësitë e mëdha dhe ekskluzive që PS-ja dhe z. Rama kanë në përgatitjen e menaxhimin e tyre, por edhe nga ajo “vonesë” kohore që vjen pikërisht nga një kulturë e mbrapshtë, që i vlerëson edhe fakte kaq të rënda, si masakrën e Gërdecit apo atë të zgjedhjeve, thjesht në funksion të interesave meskine të pushtetit.
Keni deklaruar diku se do të vazhdoni punën tuaj si studiues, kjo do të thotë se jeni zhgënjyer nga politika dhe keni hequr dorë prej saj?
Nëse ka një gjë për të cilën nuk mund të pendohem në këta katër vjet të një politike aktive, kjo ka qenë mosbraktisja e veprimtarisë shkencore dhe shfrytëzimi i çdo hapësire kohe të lirë në funksion të saj. Në këta 4 vjet kam botuar dy monografi voluminoze, një numër punimesh shkencore, si dhe kam marrë pjesë në seminare e kolegiume brenda e jashtë Shqipërisë. Pra nuk mendoj se bëhet fjalë për një “rikthim” në shkencë. I zhgënjyer nga politika, sigurisht që jam. Ndaj dhe kam vendosur të “dal” nga rreshtat e njerëzve të politikës. Por sigurisht do vazhdoj të flas e të them mendimin tim modest, sigurisht jo në favor apo në disfavor të këtij apo atij politikani, por sa herë që gjykoj se preken interesa “përtej së majtës e së djathtës”, që nuk janë interesat e Berishës, të Ramës apo të Metës, por interesat e vendit.
Ndërkaq kryetari i PS-së, Edi Rama ju ka bërë një ftesë për të bashkuar të majtën. Do ta merrni në konsideratë këtë ftesë?
Së pari nuk ka pasur ndonjë “ftesë” ndaj meje e kolegëve të mi, unë nuk e lexoj aspak kështu përmendjen që z. Rama e pa me vend të bëjë ndaj nesh: në kontekstin e një bashkëpunimi të ri brenda së majtës, ai përfshiu edhe atë pjesë të madhe të LSI-së, që nuk do ta ndjekë z. Meta në aventurën e tij berishiane. Sa më përket posaçërisht mua, ajo që mund të them tani për tani është se sikur nesër të votohej, do të isha “i detyruar” të votoja PS-në dhe vetë z. Rama: gjë që do ta bëja fare pa qejf e duke lëshuar në kuti bashkë me votën, edhe njëmijë e një të shara. Por, kjo është situata, opozitarët janë lënë sot pa alternativë.
Cili është vlerësimi juaj për politikën sot, a mund të thuhet se ajo është zhveshur nga morali?
Një nga premtimet që na dha z. Meta kur na ftoi t’i bashkoheshim LSI-së, ishte pikërisht se kjo forcë do t’i kthente politikës moralin e humbur. Por pas “marifeteve” të fundit të politikës, që patën për protagonist vetë z. Meta, a ka ndonjë njëri që të besojë se politika në Shqipëri ka një moral?
Le të kalojmë pak tek historia. Ju, pak muaj më parë botuat librin tuaj studimor “Nga Paleologët tek Muzakajt: Berati dhe Vlora në shek. XII-XV”. Mund të na thoni përse zgjodhët familjen Muzaka për të zhvilluar studimet tuaja? Dhe, sa kohë u është dashur të studioni mbi këtë familje?
Historia e familjes Muzaka është në fakt tharmi që lidh lëndën e këtij studimi, që e kam filluar që në vitet studentore. Përse Vlora e Berati? Sepse në shek. XI-XV, kjo trevë ka prodhuar shumë histori, histori që nuk meritonte të mbetej e panjohur. Përse Muzakajt? Sepse historia e tyre lidhet ngushtësisht me këtë trevë, dhe sepse Muzakajt kanë qenë veç të tjerash edhe një familje historianësh: në vitin 1510, Gjon Muzaka shkroi një kronikë historike, që përfaqëson edhe sot një material të rrallë për historinë mesjetare të Shqipërisë dhe për atë të familjeve fisnike vendase, duke filluar me Kastriotët.
Cilët kanë qenë njerëzit që kanë ndikuar në drejtimin e jetës suaj?
Me siguri im atë, i cili falë përvojës së tij i orientoi mjeshtërisht e plot durim drejt portit të studimeve klasike pasionet e mia të paqëndrueshme, që më bënin të ndjehesha herë pilot, herë boksier, herë aktor e herë udhëheqës! I detyrohem gjithashtu shumë kulturës së gjerë, qetësisë gati hyjnore dhe humanizmit të profesorit tim të latinishtes, Pashko Gjeçi, i cili përveç latinishtes, më mësoi edhe virtytin e heshtjes dhe të reflektimit në heshtje.
Së fundi, si kanë qenë marrëdhëniet tuaja këtë verë me Jugun e Shqipërisë?
Deri ditën e sotme nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të ngushtë, për shkak të vapës e të konfuzionit. Kam bërë ndonjë kërcim deri në Llogara, për të shijuar mishin dhe harapashin e Sofos, apo deri në Tragjasin e rrënojave, për të mbajtur gjallë një raport me historinë. Aktualisht jam në Orikum për të pushuar disa ditë.

/Gazeta Shqipetare/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: