Skip to content

Familja Godo kundër Mediut: Ka dy muaj që nuk na ngre as telefonin!!!

09/07/2009

Kryetari i Asamblesë së republikanëve, Sabri Godo, kritikon rrugën që ndoqi Fatmir Mediu për të marrë Ministrinë e Mjedisit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, themeluesi i PR-së tregon arsyet përse bojkotoi dy mbledhjet e fundit të kryesisë, teksa shton se Mediu duhet të priste të përfundonte procesi hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit përpara se të bëhej ministër.

Zoti Godo, Partia Republikane do të jetë sërish pjesë e qeverisë “Berisha” në këtë mandat të dytë. A jeni i kënaqur me Ministrinë e Mjedisit?

Unë do të doja ndonjë ministri që do të kishte më tepër peshë dhe me më shumë ndikim në jetën e vendit, por edhe nuk ngul këmbë në këtë ide, sepse të atilla janë tani konjukturat politike në koalicionin që është krijuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe forcat e tjera që pritet të hyjnë. Kështu që mund edhe të pranohej kjo ministri nëse nuk kishte alternativë tjetër. Nuk jemi ne ata që duam t’i krijojmë probleme koalicionit, ne jemi për mbarëvajtjen e tij dhe jo për ta penguar.

Gjatë ditës së premte kryeministri thirri kryetarin e PR-së për të negociuar përfaqësimin në qeveri dhe në mbrëmje ai mblodhi kryesinë e partisë. Përse ju nuk ishit në këtë mbledhje?

Në këtë mbledhje unë nuk shkova dhe nuk më dukej se mund të shkoja, sepse ka gati dy muaj që jo vetëm me Anilën si ministre, por zoti Mediu ka prerë edhe komunikimin me mua në mënyrë të habitshme. Ne kemi bashkëpunuar gjithmonë dhe nuk ka ndodhur ndonjë konflikt dhe nuk ka pasur asnjë grindje. Kjo tërheqje e tij mua më bën një përshtypje të keqe. Tani shoh që gjatë kësaj kohe ai bëri lojën e tij për t’i nxjerrë punët atje ku e mendonte ai më mirë dhe më vuri mua para një fakti të kryer ashtu si edhe të tjerët. Por secili ka gjykimin e tij. Unë nuk jam president nderi siç quhem ndonjëherë në media, që duhet të vihem në podium dhe mund të mos pyetet. Unë jam një njeri që kam funksione të caktuara në Partinë Republikane, jam kryetar i Asamblesë i zgjedhur disa herë unanimisht, jam anëtar i kryesisë. Me statut jam edhe personi i dytë në parti, njeriu që mund të zëvendësojë kryetarin. Kështu që të mos pyetem fare, të mos më thuhet asgjë dhe pastaj të thirrem tri orë para mbledhjes për të më thënë që gjërat janë vendosur kështu në marrëdhëniet me Berishën dhe Partinë Demokratike, nuk jam i disponuar ta ndjek lojën e zotit Mediu, sepse nuk më duket korrekte. Prandaj nuk shkova në mbledhje. Kanë bërë mbledhje edhe sot dhe nuk shkova. Mendoj që ai duhet ta rishikojë këtë punë. Unë nuk do ta pengoja zotin Mediu të bëhej ministër, ai ka të drejtë të luftojë për veten e tij, por them se gjërat duhen bërë në rregull dhe nuk duhet luajtur me personat dhe sidomos me forumet e partisë. Përsa i përket Anilës, është me statut që ministrat janë anëtarë të kryesisë dhe nuk mund të shmanget thirrja e tyre në mbledhje, aq më tepër sepse ndonjëherë atje janë vërejtur edhe lëvizje në kryesi, sepse janë thirrur për konsultim ose edhe për të votuar njerëz që nuk janë zgjedhur realisht nga Asambleja Kombëtare. Për mua e meritojnë të jenë anëtarë të kryesisë, por në parti ka disa rregulla. Një nga rregullat është që ministri duhet të thirret në mbledhjen e kryesisë.

Mendoni se kjo hatërmbetje le të themi e zotit Mediu ka ardhur për shkak të emërimit të vajzës suaj në postin e ministres pasi ai dha dorëheqjen?

Vajza ime nuk hyn fare në këtë punë. Ajo nuk ishte absolutisht konkurrente për Ministrinë e Ambientit. Ajo pranoi të bëhej ministre e Shëndetësisë me insistimin e Fatmirit, sepse ishte një ngërç për Partinë Republikane në atë moment që duhej zgjidhur. Meqenëse Ministria e Shëndetësisë i kalon një partie tjetër, për vajzën time ishte krejt normale që të rikthehej në punën e saj me zemër të lehtë dhe ajo kështu e mendon dhe kështu është. Në qoftë se zoti Mediu ka menduar se këtu mund ta kërcënojë ndonjë konkurrencë, është një gjë krejt në imagjinatën e tij e pabazuar në realitetin e gjërave.

Në takimin që kanë pasur zoti Berisha i ka kërkuar Mediut të mos jetë ai ministër në kabinetin qeveritar deri mbylljen e procesit gjyqësor të Gërdecit. Në vlerësimin tuaj a duhet të kishte pritur zoti Mediu deri sa të përfundonte gjyqi?

Unë nuk e di se çfarë ka thënë doktor Berisha dje në takimin me Mediun. Kjo është një bisedë ndërmjet tyre që nuk është bërë publike dhe nuk jam unë ai që të rri të bëj spekulime dhe të eci me hamendje. Unë dëgjova në media që ka bërë këtë komunikim në kryesi zoti Mediu dhe ka dalë prej andej me votat e atyre që ishin prezentë si i propozuar nga Partia Republikane si ministër. Në këtë gjë nuk shoh ndonjë çudi, është e drejtë e tij ta kërkojë. Për sa i takon faktit që ai është në një proces penal, unë kam bindjen se ai nuk ka përgjegjësi penale, por gjithsesi është një gjykatë që do ta vendosë dhe askush nuk mund të thotë tani që kjo çështje është e mbyllur. Mirë do të ishte të pritej vendimi i gjykatës. Ja që Fatmiri i lëvizi gjërat në këtë drejtim. Por unë po e them edhe njëherë, që nuk do të isha unë për ta penguar dhe e deklaroj edhe njëherë që nuk jam kundër as sot, sepse për mua një vendim që merret me shumicë votash në forumet e partisë, qoftë edhe me një votë më tepër, bëhet i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e tjerë. Unë kështu e shikoj, sepse unë i respektoj me rigorozitet parimet që rregullojnë demokracinë e brendshme në parti. Në këtë drejtim ne kemi shumë gjëra për të korrektuar.

Nëse zoti Mediu do të pranonte të mos ishte pjesë e kabinetit qeveritar deri në përfundim të procesit gjyqësor, a ishte zonja Godo një kandidaturë për postin e ministres së Mjedisit?

Kategorikisht jo. Anilës as nuk mund t’i shkonte në mendje një gjë e tillë. Ajo është mjeke, hyri në Ministrinë e Shëndetësisë me vullnetin për të dhënë një ndihmë në krizën e madhe në të cilën ndodhej shëndetësia. Bëri atë që mundi, nisi reforma të mëdha. Mbase do të kishte dëshirë të punonte për t’i çuar më tej këto reforma, por meqë e kërkon politika këtë lëvizje ajo nuk ka asnjë lloj hatërmbetje. Ajo rikthehet në punën e saj me këngë e me valle, si i thonë një fjale. Ky është realiteti, pavarësisht se shumë njerëz mund të mos e besojnë, sepse ajo nuk është karrieriste dhe nuk është profesioniste në politikë dhe nuk është nga ajo kategori njerëzish që duan të nxjerrin përfitime nga puna e tyre.

Kryeministri Berisha duket se po has pengesa në formimin e qeverisë, si po ju duket deri tani ky proces?

Nuk është e lehtë, por mendoj se Berisha është i aftë të dalë në krye dhe unë e shikoj atë si një kryeministër që mund të drejtojë me energji. Janë bërë punë të mëdha në katër vitet që shkuan dhe janë hapur perspektiva për vitet që vijnë. Kjo në radhë të parë falë vullnetit të fortë të Berishës. Me vullnetin e tij më në fund u bë rruga Durrës-Kukës, me të cilën u morën tetë vjet socialistët dhe nuk bënë asnjë metër rrugë, sepse kështu do t’i mbetej hatri grekëve.

Anila Godo: S’më thirrën në kryesi, Mediu: S’është anëtare

Pa kaluar ende 24 orë nga mbledhja e Partisë Republikane, e cila i dha mbështetje kryetarit të saj Fatmir Mediu për të qenë ai përfaqësues i kësaj force në kabinetin qeveritar, reagon anëtarja kryesisë, Anila Godo. Ministrja e Shëndetësisë thotë në një prononcim për mediat se ajo nuk u informua për këtë mbledhje, megjithëse duhet të ishte në këtë mbledhje në bazë të statutit të Partisë Republikane. “Nuk jam ftuar të marrë pjesë në mbledhjen e djeshme, nuk jam informuar, megjithëse mesa di unë me statut ministri i një partie detyrimisht është pjesë e kryesisë. Gjatë periudhës së zgjedhjeve kam ndjekur zotin Mediu në një pjesë të madhe të vendeve për hapjen ose paraqitjen e kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore, megjithëse nuk bëja pjesë në listën e kandidatëve për deputetë”, shprehet ministrja Godo. Më tej ajo thekson se prej dy muajsh kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nuk i është përgjigjur në telefon, për shkaqe që ajo thotë se nuk i di akoma. “Në Ministrinë e Shëndetësisë rruga u hap nga fakti që Partia Republikane kërkoi Ministrinë e Mjedisit. Prej dy muajsh nuk kam asnjë komunikim me kryetarin e partisë dhe autoritetet drejtuese dhe kjo jo për fajin tim. Kam kërkuar të komunikoj, nuk më është hapur as telefoni dhe nuk e di arsyen. Jam fare e habitur”, vijoi më tej Anila Godo. Vajza e kryetarit të Asamblesë së Partisë Republikane erdhi në postin e ministres së Shëndetësisë verën e kaluar në një moment kur kjo forcë prej disa muajsh nuk ishte e përfaqësuar në kabinetin qeveritar. Anila Godo zëvendësoi ish-ministrin Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane, pasi kryeministri Berisha vendosi të rikthejë PR-në në qeveri dhe të largojë prej saj demokristianët. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Në një prononcim për mediat kreu i republikanëve është shprehur se kjo ka ardhur për shkak se ministrja nuk është anëtare kryesie. “Shkarkimet në qeveri nuk i bëj unë, por kryeministri Berisha. Mospjesëmarrja e zonjës Godo në mbledhjen e kryesisë ka ardhur për shkak se ajo nuk është anëtare e këtij forumi të Partisë Republikane”, është shprehur Mediu në prononcimin për mediat. Të premten në mbrëmje pas rreth dy orësh kryesia e Partisë Republikane i dha OK kryetarit Fatmir Mediu për të qenë ai përfaqësuesi i kësaj force në kabinetin e kryeministrit Berisha në postin e ministrit të Mjedisit. Vendimin e kryesisë kreu i PR-së e kishte paralajmëruar gjatë mesditës ku në përfundim të takimit me Berishën gjatë një prononcimi për mediat la të kuptohet se do të jetë pikërisht ai që do të marrë postin ministror në emër të kësaj partie. Partia Republikane, e cila doli në zgjedhjet e 28 qershorit forca e dytë e koalicionit të djathtë, pritet të marrë edhe dy zv.ministra si dhe drejtorë të të gjitha niveleve në 12 qarqet e vendit.

/Peshku Pa Uje/Panorama/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: