Skip to content

PS-ja si PD-ja?

08/31/2009

Që kur shumica e grupit themelues të PD-së u largua nga ajo për të krijuar Aleancën Demokratike, u bë e qartë se PD-ja do të ishte një shëmbëlltyrë e Partisë së Punës në drejtim të demokracisë së brendshme të saj. Kushdo që ishte në të, si ushtarët brenda një bunkeri, duhej të qëllonte armikun sipas urdhrave të komandantit Berisha. Ndërsa kushdo që nuk u bindej urdhrave të komandantit, shpallej tradhtar ose i shitur tek armiku. Dhe pavarësisht dështimeve elektorale të komandantit (në vitet 1994, 1997, 2000, 2001, 2003), ai mbetej në krye të ushtrisë demokrate, sepse në të mbijetonin vetëm ushtarë të bindur të tij.

E kundërta ndodhi me PS-në. Ajo, duke qenë pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, iu largua modelit punist të funksionimit të brendshëm. Kjo ndodhi ndoshta për dy arsye.
E para, sepse Fatos Nano, njeriu të cilit Ramiz Alia i la në dorë timonin e partisë, qëlloi të ishte një “dandy”, që parapëlqente më shumë jetën e natës se sa punën intensive për të mbajtur nën kontroll partinë. Ndërsa arsyeja e dytë, e ndoshta edhe më e rëndësishmja, ishte se PS-së i duhej të distancohej sa më shumë nga modeli punist. Kjo, për shkak të diskreditimit të Partisë së Punës në sytë e opinionit publik të asaj kohe. Ndërkohë, Berisha mund ta adoptonte atë model pa shumë probleme, për sa kohë luante fort kartën e antikomunizmit në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Flirtimin e parë me modelin punist të funksionimit të brendshëm PS-ja e pati në kongresin e dhjetorit 2003, në të cilin Nano e margjinalizoi krejtësisht grupin fraksionist të Ilir Metës dhe ku pothuaj nuk pati garë për kreun e PS-së. Por ajo që nisi atë dhjetor u ndërpre në korrikun e 2005-ës, kur Nano, me ose pa dashje, i humbi zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që ishte si në krye të partisë së tij, ashtu edhe të qeverisë.

Kuptohet që Nano, në qoftë se do të kishte dëshiruar, mund të kishte mbetur në krye të PS-së, duke ia faturuar humbjen një grupi armiqësor brenda partisë – zëra se Edi Rama dhe njerëz të afërt të tij kishin punuar kundër PS-së qarkulluan pas zgjedhjeve të 2005-ës… Por ngjarjet e mëvonshme treguan se Nanon, më shumë se të qenit udhëheqësi i opozitës, e joshte posti i Presidentit të Republikës. Dhe, në fakt, ai, me ndihmën e mik-armikut Berisha, do ta kishte arritur këtë synim, në qoftë se jo Edi Rama, por dikush tjetër do të ishte zgjedhur në krye të PS-së.

Me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së, modeli i partisë ushtri, i aplikuar për shumë kohë nga Berisha, u adoptua edhe në të. Por me një ndryshim shumë esencial. Ndryshe nga statuti i PD-së, statuti i PS-së parashikonte ndërprerjen e mandatit të kryetarit të partisë në rast humbjeje të zgjedhjeve parlamentare. Pra, kryetarit iu la në dorë komandë pothuaj absolute për ta çuar ushtrinë e tij drejt fitores, ndërkohë që iu ngarkua edhe një përgjegjësi e drejtpërdrejtë për humbjen.

Por ngjarjet e pas 28 qershorit po tregojnë se neni më i rëndësishëm i statutit të PS-së, ai që e bënte PS-në e Ramës aq të ndryshme nga PD-ja e Berishës, paskësh qenë pa vlerë. Sepse kryetari që nuk i siguron fitoren partisë mund të vazhdoka ta udhëheqë atë edhe pas ndërprerjes së mandatit të tij. Për këtë, i duhet thjesht një rikandidim e rivotim nga anëtarësia e partisë. Por edhe Berisha është votuar e mund të votohet deri në vdekje nga anëtarësia e PD-së, pavarësisht dështimeve apo sukseseve të tij…

Kuptohet që Rama e ka sot shumë më të lehtë seç e kishte dikur Nano të adoptojë modelin punist të funksionimit të partisë. Kjo, sepse distanca kohore prej transformimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste është shumë e madhe, dhe sepse vetë Rama, ashtu si dikur Berisha, e filloi karrierën politike si antikomunist. Sidoqoftë, mbetet të shihet se sa PS-ja e viteve që do të vijnë do t‘i ngjasojë PD-së së viteve 1997-2005, kur aplikonte modelin punist gjatë qenies në opozitë.

Nga Eduard Zaloshnja,

publikuar ne gazeta “SHQIP”

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: