Skip to content

“Pharmakon” thyen tabutë e seksit

07/04/2009

“Pharmakon”, filmi më i ri shqiptar që thyen tabutë e seksit. Intervista – Regjisori Ramjon Shanaj do të sjellë një nga temat më të nxehta të shoqërisë sonë, shkëputjen nga tutela e së shkuarës.

Një nga filmat më të rinj, që është realizuar në Shqipëri, është edhe ai i regjisorit Ramjon Shanaj, “Pharmakon”, në të cilin përfshihen histori që identifikojnë shoqërinë tonë dhe më gjerë. Me anë të një bashkëpunimi e kolegët e tij koreanë dhe izraelitë, Shanaj ka mundur të realizoj një gërshetim kulturash për të sjellë para publikut filozofinë e filmit të tij. Ajo që ka bërë më shumë kurioz publikun për filmin, i cili sapo ka përfunduar xhirimet, janë skenat erotike, të cilat, sipas regjisorit, janë të vërteta. Në këtë film, ai ka zgjedhur me kujdes personazhet që do të luajnë në rolet e tij, që janë Olta Gixhari, e cila provon për herë të parë kontaktin me kamerat, Kastro Zizon, i cili njihet për karakterin e tij shpërthyes, si dhe Niko Kanxheri. Filmi pritet të jetë para publikut brenda vitit 2009.

Mund të flisni për filmin të cilin sapo e keni përfunduar?
Sapo kam mbaruar xhirimet e filmit “Pharmakon”, xhirimet e të cilit zgjatën 7 javë.
Në qendër të filmit është historia e dashurisë midis Brankos, e cili luhet nga Kastro Zizo, një farmacist i ri, dhe studentes së mjekësisë Sara që interpretohet nga Olta Gixhari. Është një dashuri e pjesshme, e mbushur me dyshim dhe paranojë. Filmi flet për një brez të ri, i cili e ka të pamundur të shkëputet nga tutela dhe ndikimi i një rendi shoqëror të sëmurë. Sado që Branko përpiqet të kalojë ndikimin e një të shkuare të molepsur në marrëdhëniet që e rrethojnë, ai gradualisht zbulon një botë të ndërlikuar dhe të pabesueshme në dredhitë e saj. Babai i tij, doktori i respektuar, Sokrati, që interpretohet nga Niko Kanxheri, duke u munduar të mbrojë të birin nga disa të vërteta, e ka lënë atë krejtësisht të pambrojtur nga realiteti. Pjesë e labirinteve ku hyn i biri është ai vetë. Pra, filmi flet se si dëshira për ego dhe pushtet e babait pa dashje godet të birin. Në këtë rrethanë, në bërthamë të filmit gjendet një baba dhe një bir, duke e sjellë filmin në fushën e një beteje të heshtur midis dy brezave, secili në luftë për jetën. Pra, përtej një historie dashurie filmi “Pharmakon” vizaton një luftë të hapur mes dy botëve, e cila nuk mund të ketë zgjidhje që të kënaqë të gjithë palët.

Sa e prekshme është kjo temë nga shoqëria shqiptare dhe më gjerë?
Megjithëse jam nisur të bëj një film për shoqërinë tonë, por edhe me një shtrirje më të përgjithshme, pasi tema që trajtojmë fare mirë mund të kishte ndodhur në çfarëdo qyteti të botës, me cilët do njerëz në rruzull. Kjo ka qenë një nga nismat e mia, dhe sinqerisht mendoj se filmi shqiptar duhet të orientohet më tepër drejt temave universale. Mendoj se e kemi sjellë dhe se kemi bërë punë të mirë e të veçantë, shumë shqiptare dhe shumë universale njëkohësisht. Duke qenë se vetë vij nga shkolla suedeze e filmit, kërkova bashkëpunëtorë dhe bashkëpunim me influencë nga Lindja. Kërkova në këtë mënyrë të afrohem pak me qendrën, ku mund të themi është shija e publikut tonë, por edhe më gjerë. Për këtë film kam bashkëpunuar me një korean që është drejtori i fotografisë dhe një izraelit, ndaj mendoj se filmi prëcjell e gërsheton disa kultura. Mendoj që edhe pse bashkëpunëtorët kryesorë vinin nga kultura të ndryshme, arrita të koordinoj që filmi të dilte sipas vizionit tim. Di të them që një pjesë e madhe jona ka dhënë maksimumin. Në këtë film një pjesë e madhe bashkëpunëtorësh e kishin për herë të parë aktivizimin në film. Këtë e bëra në mënyrë të vetëdijshme, duke dashur t’u japë dorë një pjese të rinjsh. Kjo solli natyrisht edhe vështirësi, pasi filmi kërkon njerëz me eksperiencë dhe që e njohin punën dhe ngarkesën që xhirimet e një filmi kanë. Të gjithë ata që kanë punuar me mua për realizim e këtij filmi kanë një meritë të madhe, pasi edhe buxheti me të cilin ai është bërë ka qenë modest. E rëndësishme është që xhirimet, me gjithë vështirësitë që kishin, mbaruan dhe tani pret faza pas produksionit, që zgjat disi më shkurt se faza parapërgatitore, por ka edhe kjo kohën e saj. Shpresoj që filmi të vijë përpara publikut brenda vitit 2009.

Pse i jeni futur rrugës së artit, ka ndikuar familja juaj në këtë zgjedhje?
Familja duhet të ketë ndikuar, por nuk e mbaj mend se si. Me siguri duhet të më jetë “larë truri”. Mund të kenë ndikuar dhe shumë gjëra të tjera. Sidomos në shekullin e kaluar, kur kemi lindur ne, i cili na ka mbushur mendjen se shumë prej zgjidhjeve i kemi bërë vet, por unë besoj shumë pak në këtë. Unë jam partizan i botës së mendimit. Arti është një fraksion i rëndësishëm i saj. Bota e mendimit është familja ime ”sekrete”.

Sa e vështirë ju është dukur kjo rrugë deri tani?
Arti dhe mendimi mund të jenë sa afër aq edhe larg njëri-tjetrit. Flas për mënyrën se si mund të perceptohet arti në zhargon. Filmi nuk është detyrimisht art. Është shumë e vështirë të bësh një film të hyjë në art. Ky është synimi im. Rruga e artit është e vështirë në aspektin privat, në atë human, pasi ka kosto të tjera anësore. Rruga e mendimit pastaj është paralele, por më e gjatë. Megjithatë, çdo profesion nëse do të tejkalosh normalen është i vështirë. Kjo vlen sidomos për ndonjë njeri obsesiv, si puna ime që e merr shumë seriozisht.

A ju jep mundësi ky profesion në Shqipëri të ndërtoni një jetë luksoze, siç ndodh në botë?
Nuk besoj se artistët në përgjithësi në botë bëjnë jetë luksoze. Do më pëlqente të bëja një jetë të tillë, por për këtë duhet të kisha zgjedhur ndonjë profesion tjetër.

Si ka lindur ideja e filmit që jeni duke e përfunduar ndërkohë?
Kam plan që “Pharmakon” ta nxjerr edhe në formë teksti. Është një projekt i imi personal i nisur qysh me kohën e shkrimit të skenarit. Pra, “Pharmakon” do të dalë edhe në formë libri. Për këtë do të flas më vonë, pasi puna të jetë gati. Në lidhje me filmin, ai e ka gjenezën në një kohë të vështirë të miqve të mi në Tirane para disa vjetësh dhe më vonë në disa gërshetime të caktuara filozofike që nisin nga Derrida e më tej në post strukturalizëm. Mendoj se kam hedhur në film një semiotikë të caktuar, e cila përcjell një pjesë idesh, disa të tjera i insinuon tërthorazi disa më direkt. Filmi ka qenë një ndërthurje midis personazheve, vendndodhjes dhe një plethore motivacionesh në formë idesh dhe qëllimi. “Pharmakon” është një nocion i caktuar filozofik i lidhur ngushtë me mendimin post-modern. Një nga idetë fillestare ishte për shembull që filmin do ta zhvilloja në një farmaci. Filmi ka në qendër besimin. Në përgjithësi besimi i verbër i njerëzve te medikamentet më ka intriguar, pasi ia kalon atij fetar që ndodh në kishë dhe e zbret me këmbë në toke, duke e trivializuar ose jo.

Si i keni zgjedhur aktorët pjesëmarrës dhe a jeni i kënaqur nga puna e tyre tani që xhirimet kanë përfunduar? Për aktorët, tani pasi faza e parë është e kryer, besoj se kam bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk ka qenë e vështirë t’i zgjedhje. Besoj se ata e kanë realizuar mjaft mirë rolin që kanë pasur, këtë pritet ta vërtetojë publiku.

Kemi dëgjuar që në këtë film ka skena erotike, sa e vërtetë është kjo dhe si i keni realizuar këto skena? Po, filmi ka skena dashurie, pak a shumë, më tepër apo më pak dashurie kur e mendoj pasi jo gjithmonë skenat e dashurisë janë skena dashurie në jetë, por ka skena dashurie. Filmi flet për një ambivalencë në dashuri. Dhe nuk e di a mund të quhet dashuri diçka që nuk është dashuri. Ndoshta termi “erotik” në këtë këndvështrim është më i saktë. Erotizmi është pjesë e madhe e jetës dhe që në fillim kam dashur të kem një film sa më të vërtetë. Ndoshta në thelb kam bërë një film ”erotik”. Shpresoj po aq erotik sa ”Vertigo” e Hitchcockut. Me vjen të qesh kur e them këtë sepse nuk është e vërtetë. Ka skena të tilla, por mos prisni të bëhet nami.

Si e keni siguruar buxhetin e këtij filmi, a ju ka ndihmuar MTKRS? Buxheti është siguruar si të gjithë filmat e tjerë shqiptarë të realizuar në këto vite. Risia në konkurrimin tim ishte se QKK kishte akorduar një fond të veçantë për filmin alternativ dhe për filmat që do të ishin vepër e parë e autorit. Kjo besoj ka qenë politika më e mirë dhe për t’u përshëndetur që ka bërë QKK vitet e fundit dhe personalisht kryetari i saj, Xhevdet Ferri. Uroj që të mos i zhgënjejmë dhe kam bindjen e plotë se kjo nuk do të ndodhë.

Ku janë realizuar xhirimet e filmit? Xhirimet janë realizuar në Tiranë dhe Durrës. Kam zgjedhur vende të veçanta. Herë-herë vende që në Tiranë që jam i sigurt ju nuk e dini që janë kaq pranë.

Mund të na tregoni ndonjë moment të veçantë gjatë xhirimeve?
Gjatë filmit ka pasur momente mjaft të vështira, por të veçanta, kështu një prej tyre ka qenë edhe dhënia e makinës nga ana e Kastro Zizos, e cila ishte një eksperiencë e veçantë për stafin në tërësi. Një ndodhi tjetër ishte se një natë Kastro, diku nga ora 5 e mëngjesit, la xhirimin duke shkuar në urgjencë për të marrë serum, gjë që në fillim s’e besova, por ishte e vërtetë.

Sa i përfshirë jeni në “Çështjen e Akademisë Marubi”, dhe çfarë zgjidhje mund t’i jepni kësaj çështjeje? Për sa i përket kësaj çështjeje, mendoj se Kujtim Çashku e meriton shkollën që ka ngritur.

/Gazeta Libertas/

2 Comments leave one →
  1. 07/06/2009 11:34

    Do kenaqemi duke e pare thua apo jo? :))

  2. besarta permalink
    04/17/2010 11:09

    aty aktron i madhi KASTRO ZIZO dhe nuk dyshoj se do jetë film i paparë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: