Skip to content

Vllaznia pranë bastit të vet për Europën

07/03/2009

Shkodranët fitojnë në transfertën e Irlandës, duke qenë shumë pranë kualifikimit për më tej

Sligo Rovers ‑ Vllaznia 1‑2

Shënues: Smajli 61′, Keane 75′ (aut.), Cretaro 88′ (11‑m)

Sligo Rovers: Brush, Keane, Holmes, Ventre, O’Grady, Cash (Doherty 73′), Ryan, Roco, Cretaro, Morrison, Feeney (Noctor 64′). Trajner: P.Cook.

Vllaznia: Grima, Smajli, Mrvaljeviç, Beqiri, Hallaçi, Osja, Shtubina, Belisha, Nallbani, Kasapi (Bishani 88′), Sinani (Bala 85′). Trajner: H.Lika.

Gjyqtarë: Ch.Virant, D.Gilon, F.Bleyen (Belgjikë)

Kartonë të verdhë: Beqiri, Sinani, Smajli, Shtubina, O’Grady, Ryan

Kartonë të kuq: Grima

“Radiografia”

9′‑ Vendësit kanë një shans të mirë me anë të Morrisonit, i cili për pak nuk shënon në portën e Grimës.

11′‑ Eshtë sërish Morrison, kësaj radhe nga një goditje dënimi që provon, por sërish nuk gjen kuadratin.

18′‑ Rasti i parë për tanët me anë të kosovarit Kasapi, por pa rrezik për irlandezët.

19′‑ Shqetësimi për shkodranët quhet Morrison, por kësaj radhe kapet jashtë loje.

23′‑ Sinani nga goditja e këndit për Vllazninë, por nuk shfrytëzohet nga shkodranët.

27′‑ Keane për Sligon rrezikon portën e Grimës, pa rezultat.

34′‑ Vendësit sërish kanë një rast, kësaj radhe me anë të Cretaros, por sërish nuk ia dalin.

38′‑ Irlandezët rritin tempin e lojës dhe është O’Grady që provon, por jashtë.

42′‑ Kundërpërgjigjet Vllaznia me anë të Belishës, i cili godet nga larg, topi kalon pak larg portës.

43′‑ Eshtë Boco për vendësit që provon edhe ai, por pa arritur të ndryshojë rezultatin.

44′‑ Rastin e fundit të pjesës së parë e kanë tanët. Smajli tenton nga larg, por vetëm sa krijon një iluzion goli.

56′‑ Kasapi rrezikon portën irlandeze, por është larg golit.

57′‑ Kundërsulm i shpejtë i Vllaznisë, Smajli kapet në pozicion jashtë loje.

61′‑ Atë që nuk e bën disa minuta më parë, lezhjani Smajli e arrin pikërisht në mesin e pjesës së dytë. 0‑1 për Vllazninë.

75′‑ Irlandezët janë shumë konfuzë në lojë, në një monet në zonën e tyre Keane e shtyn topin për në portën e vet. 0‑2 për Vllazninë.

82′‑ Sligo Rovers ka momentin më të mirë për të shkurtuar diferencën, por autori i autogolit humb 11‑metërshin e dhënë në favor të irlandezëve.

86′‑ Momenti më fatal për shkodranët. Portieri Grima shkakton faull brenda zonës dhe gjyqtari jep 11‑metërsh. Portieri ynë merr karton të kuq. Lika largon Kasapin për të future në lojë Bishanin në portë.

89′‑ Nga pika e bardhë e penalltisë këtë herë për irlandezët gjuan Cretaro, i cili shkurton diferencën e golave në 1‑2 dhe hap lojën. Por as 5 minutat shtesë nuk sjellin më ndryshim rezultati.

Komenti

Vllaznia edhe njëherë tjetër tregon eksperiencën e saj në kupat e Europës, teksa ka fituar në transfertën e vështirë irlandeze, ku përballë ka qenë skuadra e Sligo Roversit. Me këtë fitore shkodranët janë shumë pranë kalimit në turin tjetër, një bast më vete për kuqeblutë, që kërkonin për të tretën herë rresht të kalonin turin e parë. Megjithatë, asgjë s’ka mbaruar, pasi futbolli është shumë surpriza dhe prandaj mbetet i bukur. Në fakt Vllaznia e ka filluar e qetë ndeshjen, duke e studiuar mirë kundërshtarin dhe mbrohet me shumë forca, për të kundërsulmuar herëpashere dhe në fakt shkëndija i ka dhënë herët. Miqtë kërkojnë të përfitojnë nga vantazhi shtëpi, por përballë kanë një ekip me shumë eksperiencë në Europë dhe shkodranët arrijnë të administrojnë lojën, pavarësisht se shohin më rrallë nga porta kundërshtare, kuptohet, duke u kënaqur me barazim.

Pra, kuqeblutë e kanë studiuar mirë rivalin, ashtu siç kishte thënë trajneri Hasan Lika që përpara ndeshjes. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, për të ardhur në pjesën e dytë, ku Vllaznia futet shumë më e vendosur në fushën e lojës. Në fillim të kësaj pjese kemi një lojë apatike për të dyja skuadrat, për të ardhur te goli i Smajlit, i cili edhe 2 raste më parë ishte treguar agresiv. Goli i tij çliron shkodranët, të cilët tani luajnë shumë më lirshëm dhe kundërsulmojnë pa frikë, për ta gjetur kundërshtarin në befasi. Nga ky presion vjen edhe goli i dytë i miqve, teksa Keane në vend që të largojë, topin e fut në portën e tij dhe këtu Vllaznia nis të mendojë për administrimin e rezultatin, llogjike kjo kur kemi parasysh që është ndeshje jashtë fushe dhe me dy gola në avantazh.

Por pas 7 minutash irlandezët marrin një 11-metërsh, por fati është në anën e kuqebluve. Eshtë pikërisht autori i autogolit që humb këtë penallti, duke qenë njeriu më i pafat i këtij takimi. Por Sligo do të merrte një tjetër penallti, kjo për faj totalisht të Grimës, i cili qëllimisht godet kundërshtarin në zonë. Madje ka edhe karton të kuq për portierin shkodran. Penalltinë nuk arrin ta neutralizojë Bishani dhe irlandezët shpresojnë në minutat e fundit për të marrë të paktën një barazim. Edhe pse jepen 5 minuta shtesë, shkodranët mbrohen fort dhe arrijnë të sigurojnë fitoren, ashtu si një vit më parë me Koperin e Sllovenisë, me të njëjtin rezultat. Tani kualifikimi është shumë më pranë, ku në turin tjetër i pret një rival shumë më i fortë, siç është Rapidi i Vjenës, një rival me shumë eksperiencë në arenën europiane. Gjithsesi, për të shkuar deri atje, më parë duhet bërë edhe ndeshja e kthimit.

Fushaj: Rezultat i mirë, kualifikimi shumë pranë

E kishte thënë që përpara që të nisej që Vllaznia do të merrte rezultat pozitiv, megjithatë të besuarit e tij e kanë kënaqur me fitore. “Një rezultat i mirë për ne dhe natyrisht që na favorizon shumë për në ndeshjen e kthimit. Me këtë rezultat normalisht që e mendojmë kualifikimin shumë. Por kujdesi duhet gjithsesi. Në pjesën e parë nuk pashë një Vllazni të fortë, kjo edhe për shkak që ekipi studioi lojën, pastaj në pjesën e dytë bëmë më të mirën. Më vjen keq për rastin e Grimës, i cili është fajtor dhe nuk më vjen mirë që një lojtar i tillë me eksperiencë arrin të godasë kundërshtarin pa shkak. Tani mendojmë për takimin e kthimit në Shkodër, ku duhet t’i gëzojmë tifozët tanë,” – është shprehur përmes telefonit presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj.

/Sporti Shqiptar/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: