Skip to content

PROVINCA NË KATËR DIMENSIONE

05/01/2009

Rikthimi në identitet i kinematografisë shqiptare duket se ka qenë një proces i vështirë; por shkollës së Anagnostit dhe Gjikës në fakt po iu qasen emra të cilët shumë shpejt do të meritojnë të vihen në një radhë me mjeshtrat e tyre. Pas ‘Kohës së kometës’; ‘Ne dhe Leninit’, ishte një surprizë mjaft e këndshme edhe prezantimi i ‘Kronikës provinciale’. Shikimi i një vepre arti, në rastin kur shija e lënë ka qenë e mirë, dhe ndjesia e gjatë, të kujton thënien e Hygoit tek ‘Njeriu që qesh’: “il faut honorer l’art”. Me shumë gjasë kjo shije dhe ky optimizëm që rrezatonte filmi i Minarollit, duhet të ketë qenë edhe artifici që mashtroi një masë të gjerë të gazetarëve të kulturës, të cilët në shkrimet e tyre gati-gati e konsideruan apo e klasifikuan filmin si humoristik. Një formë e re komedie, e cila duhet të na bënte të qeshnim me provincën e prapambetur shqiptare.

Ky iluzion i parë, që kishim patur të bënim me një komedi; kjo agnozi dhe negacion kategorik i dramës që qëndron pas filmit dhe provincës, më çoi ndërmend “Historinë e një ushtari” të Stravinskit, ‘manifestin surrealist të kompozitorit – siç e emërton Theodor Adorno tek ‘Minima Moralia’ – shpërthimet konvulsive-ëndërrimtare të të cilit e pajisën muzikën me diçka prej të vërtetës negative’. Dhe, vazhdon Adorno, “…parakusht për këtë pjesë muzikore ishte varfëria”.

Iluzioni i dytë, stisur dhe induktuar sërish nga shtypi i shkruar, ishte fakti që provinca që përvijon Minarolli dhe Aliçkaj, duket të jetë e përcaktuar në kohë dhe në hapësirë: bëhet fjalë për Beratin, në një periudhë kohe të përcaktuar mirë; dhe asgjë më shumë. Kësisoj kemi përpara një dokumentar optimisto-humoristik; karakterin lokalist të të cilit e kishte prishur intonacioni dialektal i një aktoreje prej Kosove, gjuha e të cilës është larg prej së qeni ajo e një beratasje.
Nuk ka asgjë prej këtyre elementëve që të karakterizojnë filmin e Minarollit; filmi është larg prej së qeni një komedi, dhe kjo sepse drama njerëzore që fshihet pas varfërisë, që kishte qenë parakusht për edhe veprën e Stravinskit, mbetet prapëseprapë në themel, shtysë dhe promotor të filmit. Duke përshkruar fatin njerëzor të një piktori gati-gati adult, Minarolli përshkruan provincën në kohë, dhe në hapësirë: kthim – qëndrim – dhe ikje. Me intuitën e artistit, ai ka përzgjedhur një violinist profesionist (Papavramin) për të inskenuar në të vërtetë, një konflikt psikologjik mjaft më të thellë se kriza e rritjes apo e largimit nga qyteti i lindjes. Intonacioni dialektal i partneres së tij kosovare është gjetja e dytë intuitive që e largon veprën nga kufijtë e ngushtë të një date dhe të një vendi të mirëpërcaktuar. Filmi ka marrë përmasa universale, sepse e tillë është provinca ballkanike.
Historia e një djali që rikthehet në familje – përkohësisht – dhe gjatë qëndrimit të shkurtër (relativisht të shkurtër) gjen një partnere me të cilën vendos të ri-emigrojë, sepse mentaliteti provincial e bën të pamundur (vërtet?!) lumturinë in loco, është një thjeshtëzim ekstrem i dramës personale. Kësaj të fundit mund t’i bëjnë kurorë figura patriarkale të cilat pijnë rregullisht kafen e provincës në të njëjtin klub e në të njëjtën orë; duke diskutuar prozaikisht të njëjtat halle të së njëjtës jetë. Por ky film nuk ka qenë bërë për Beratin; mbase qyteti është përzgjedhur rastësisht, por jo pa qëllim.
Në fakt, universaliteti i figurave dhe situatave është i katërfishtë:
a. Në film ka një universalitet sfondi. Ka një qytet provincial, mes të cilit kalon një lumë. Domosdoshmërisht mbi lumë ka një urë, në të cilën zhvillohen rituale kristiane (hedhja e kryqit); por ura si simbol na çon shumë më larg se Berati. Nuk është në çdo rast ura me tri harqe e legjendës së murimit, por sakrifikimi simbolik i fëmijëve që hidhen në ujin e akullt të janarit për të nxjerrë kryqin qëmton gjurmët pagane të konceptit njerëzor mbi urën. Ura është sfond; ura është sfond edhe i Mostarit, edhe i Mitrovicës, edhe i Varazhdinit; lumi mund të jetë Osumi, po mund të jetë edhe Ibri, siç mund të jetë Drina. Ura mbi Ibër lidh një lagje katolike (kroatë) me një lagje myslimane (boshnjakë); të krishterë dhe myslimanë do t’i gjesh edhe në Beratin e ‘Kronikës provinciale’; por jo vetëm aty. Sakrifikimi i imazhit është i prekshëm tek filmi i Minarollit: heroi kryesor pranë urës skicon pikturat e tij, njeh partneren, përmes urës largohet sërish. Ura mbi Osum është elementi i parë që i dhuron universalitet provincës shqiptare, të përshkruar filmografikisht këtu.
b. I prekshëm është edhe universaliteti i gjuhës. Timbri i të folurit të Birçe Haskos, Agim Qirjaqit, Robert Ndrenikës, Ndriçim Xhepës etj. etj. dukshëm nuk është uniform. Nuk është uniform as përmbajtja që bart e folura e tyre: gjuha reflekton mjedisin, por të perceptuar në mënyrë personalisht origjinale. Inkuadrimi i aktores kosovare në rolin e mësueses e më pas të partneres së heroit kryesor, universalizon mënyrën e komunikimit. Ky film nuk është për Beratin; dhe autori na e kumton këtë gjë disa herë rresht.
c. Universaliteti përshpirtëror është pa dyshim, elementi më i spikatur i filmit. Figura mjaft interesante e priftit orthodoks ka një kundërfigurë mahnitëse, atë të hoxhës (Mirush Kabashi). Minareja dhe ky hoxhë që këndon, të kujton qartësisht dhe butësisht faktin se bëhet fjalë për Ballkanin. Është po ky hoxhë që këndon në Berat, në Mitrovicë dhe Mostar. Është po ky hoxhë që ndryshon intonacionin dhe kadencën përpara pamjeve gjysëm-erotike të një çifti të porsa-dashuruarish. Modifikimi i të luturës së tij është koagulim i sensualitetit të qëmtuar në mjedisin përreth; lutja e kënduar është hyjnore, por emocionet kanë mbërritur nga një botë e prekshme, njerëzore. Që të dyja i bashkon përshpirtëria, e cila mbetet universale, ashtu si edhe emocionet, të cilat u modeluan sipas një morali dhe formuan një kredo.
d. Figura e djalit-piktor që kthehet nga emigracioni, edhe pse përkohësisht, reflekton në një mënyrë të papërsëritshme një tjetër tipar universal që ka marrë kjo kronikë provinciale. Nuk bëhet fjalë për një kthim të thjeshtë në atdhe, as një ri-emigrim për arsye ngushtësisht ekonomike. Djali-piktor mishëron një dramë të pastër edipike, të cilën ai e rizgjidh përmes një ikje-fugë; këtë herë bashkë me një partnere. Identifikimi që ai ka bërë në fëmijëri me të atin, intuitivisht e ka bërë Minarollin që të përzgjedhë si partnere të djalit-piktor një femër, e cila për nga fizionomia i përngjet pikë për pikë së ëmës së djalit në film. Djali-piktor ka zgjedhur një partnere, e cila i ngjason edhe në të folur femrës të cilën babai ia kishte ‘rrëmbyer’ në fëmijërinë e hershme: nënës së tij. Kjo ikje nga provinca – Berat, është në të vërtetë, një zgjidhje e Edipit; mjaft më universale se historia e një piktori të refuzuar nga injoranca e qytezës të varfër të lindjes.
Duke universalizuar dramën e personazhit dhe qytetit të tij, ‘Kronika provinciale’ ka çelur një dritare, përmes së cilës shumëkush mund të gjurmojë vetveten. Një gjetje origjinale, të cilën e ka mundësuar vetëm intuita e një regjisori, vetëm prania e një kasti profesionist aktorësh, si dhe provinca e bollshme, e gjerë, dhe e kudondodhur.

GËZIM VJOSA, 2009

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: