Skip to content

Sarkozy: Shqipëria në BE! (Hajt për hajër)

04/24/2009

Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga Presidenti i Francës Nikola Sarkozy, në Pallatin Elyzee.
Presidenti Sarkozy, pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, e falënderoi që iu përgjigj ftesës së tij për të vizituar Elyzee dhe i uroi mirëseardhjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke i shprehur edhe mirënjohjen dhe falënderimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë me forcat e saj përkrah NATO-s në operacionet e saj, si dhe përkrah forcave të Kombeve të Bashkuara në Çad.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi Presidentin Sarkozy për pritjen dhe takimin e ngrohtë e miqësor, u shpreh se takimi mes tyre është një hap i rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Presidenti Sarkozy i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, u shpreh Presidenti Sarkozy, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.


Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 përqind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm.
Nga ana e tij, Presidenti Sarkozy u shpreh se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. Franca mbështet të gjithë proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë.
Presidenti Sarkozy shprehu falënderimet gjithashtu, për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez. Ai u shpreh se qeveria franceze do të punojë dorë më dorë me qeverinë shqiptare dhe do të ketë gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen tonë.

Kryeministri Berisha e falënderoi gjithashtu, Presidentin Sarkozy për mbështetjen që ai personalisht, qeveria dhe populli francez i kanë dhënë Shqipërisë për realizimin e ëndrrës për të qenë anëtar i NATO-s, një ëndërr që u bë realitet. Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend që ka vuajtur shumë nga mungesa e sigurisë ndër vite. Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndjerë edhe më e sigurt. Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj, – vijoi Kryeministri – për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë.
Për realizimin e këtyre dy projekte të mëdha dhe për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë, tha Kryeministri, ne kemi ndërmarrë reforma të thella, shpesh herë të vështira, por kjo ishte rruga e vetme që shqiptarët të shohin të realizuar ëndrrën e tyre për integrimin në NATO dhe atë në BE. Në kuadër të thellimit të reformave, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Sarkozy edhe me reformat e ndërmarra në fushën ekonomike, si dhe u shpreh se do t’i ishte shumë mirënjohës Presidentit Sarkozy të nxiste afrimin dhe ardhjen në Shqipëri të investitorëve francezë. Kryeministri shprehu kënaqësinë që disa kompani franceze po operojnë me sukses në Shqipëri. Një faktor i rëndësishëm, shtoi Kryeministri, është edhe fakti se në Shqipëri do të gjeni një vend frankofon, i cili e preferon gjuhën franceze.
Investimet e kompanive franceze, me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, siguroi Kryeministri, do të jenë një histori suksesi në Shqipëri. Ne jemi një vend i vogël, – u shpreh Kryeministri – por me potenciale shumë të mëdha në energjetikë, në minerale, turizëm, kemi një krah pune ndër më të favorshmit në Europë. Ne kemi ndërmarrë reforma të mëdha ekonomike, bëmë ligjin për partneritetin publik privat, në 3-4 vite, ne do të kemi një rrjet të ri infrastrukturor, duke qenë se kemi trashëguar një rrjet të prapambetur, por, mbi të gjitha, për qeverinë time është dhe do të mbetet prioritet arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve tanë.

Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të qershorit, Kryeministri Berisha tha se qeveria që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, – tha Kryeministri – është edhe pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike.

Presidenti Sarkozy u shpreh se së shpejti do të vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se e gëzonte së tepërmi ky lajm dhe Presidenti Sarkozy do të jetë Presidenti i parë francez që viziton Shqipërinë dhe se do të pritet nga një popull që e do dhe e vlerëson, veçanërisht një popull mirënjohës ndaj mbështetjes që Presidenti Sarkozy dhe qeveria franceze i kanë dhënë proceseve integruese të Shqipërisë.

/TV Klan/

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: