Skip to content

Gërdeci vazhdon të marrë rrogën

04/13/2009

GERDEC
Në Ministrinë e Mbrojtjes e tregojnë si anekdotë: Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar kohë më parë një shkresë zyrtare në këtë institucion, duke kërkuar që t’i afrohej ekspertizë e kualifikuar ushtarake për një problem të lidhur me hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Shkresa, sipas rregullit, i bie në dorë një zyrtari të ministrisë, drejtor i një sektori nga më të rëndësishmit, i cili gjithashtu është i pandehur në këtë çështje. Përtej humorit të zi që afron kjo histori, e vërteta është ngjethëse: të paktën 15 zyrtarë, ushtarakë e civilë të Ministrisë së Mbrojtjes, pjesë e listës së gjatë të të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit, vazhdojnë të jenë pjesë e strukturave drejtuese të saj. Madje, secili nga ta ndodhej të dielën e shkuar në sheshin “Skënderbej” dhe në mitingun festiv të organizuar nga qeveria shqiptare për hyrjen në NATO. Një situatë që shkon në kufijtë e absurdit, që shkon direkt ndesh me ligjin, por që tashmë, një vit pas tragjedisë, ngjan e natyrshme vetëm në institucionet shqiptare, të cilët e interpretojnë ligjin si llastik. Rasti klasik i ish-drejtorit të Tatimeve, Arben Sefgjini, i pandehur në çështjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, që në kohën kur u fut në arrest shtëpie, vazhdonte detyrën dhe firmoste shkresat zyrtare në kuzhinën e tij, tashmë shtohet me rastet e përsëritura të Ministrisë së Mbrojtjes. Çfarë e bën shtetin shqiptar të ngjajë me një ngrehinë që drejtohet me vullnet politik, por jo me ligj. Sefgjini u mbrojt atëherë direkt nga kryeministri Berisha, që edhe pasi e largoi atë nga drejtimi i Tatimeve, e emëroi prefekt në Lezhë.

Të pandehur në detyrë

Ligji për Statusin e Nëpunësit Civil, me numër 8549, i 11 korrikut 1999, i ndryshuar, nuk është kund tjetër më i qartë se në përgjigjen që i jep skandalit që po konsumohet ditë pas dite, që prej dy e më shumë muajsh në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai sanksionon në nenin 22 të tij, se çfarë duhej të ndodhte me të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, menjëherë sapo ata marrin këtë status të ri nga hetimi: duhet të lënë zyrat e tyre dhe të pezullohen nga detyra. “Pezullimi është ndërprerja e përkohshme e marrëdhënieve ligjore për periudhën sa zgjat arsyeja e ndërprerjes. Në mbarim të kësaj periudhe, nëpunësi civil rimerr vendin e tij në shërbimin civil, me përjashtim të rastit kur dënohet me heqje lirie”. Dhe më pas, neni 22 vazhdon: “Nëpunësi civil pezullohet: kur ndaj tij fillon ndjekja penale, për shkak të detyrës ose për krime të rënda, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar”.

E njëjta situatë është dhe për ushtarakët – ata përfshihen në ligjin për gradat, të cilët duhet të lënë detyrën, ose më saktë duhet të ishin pezulluar prej saj deri në momentin që gjykata të shprehej për fajësinë apo pafajësinë e tyre. Por në Ministrinë e Mbrojtjes ndodh ndryshe. Më së paku një neglizhencë e pakuptimtë, por pa lënë shkas që të mos mendohet dhe për një situatë të lënë në këtë mënyrë qëllimisht, për të ndikuar në cilësinë e hetimit gjyqësor, për ta penguar e deformuar atë. Vetë situata lë të hapura të gjitha zgjedhjet e mundshme, për arsyet sepse ndodh një gjë e tillë. “Anekdota” që tregojnë në ministri për fatin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, është një argument më shumë dhe serioz për këtë hipotezë të dytë.

Të pandehurit ende në detyrë mbajnë poste kyçe në ministri. Lista e gjatë me 15 persona, civilë e ushtarakë, kryesohet nga numri dy i Forcave të Armatosura, gjeneral Agim Lala dhe ushtarakë të tjerë të rangjeve më të ulëta, por të gjithë në funksione drejtuese. Lala tashmë është dhe komandant i forcës së bashkuar, post që e ka marrë pas largimit nga kjo detyrë të Gjeneral Shpëtim Spahiut, aktualisht edhe ky me statusin e të pandehurit. Te civilët bie në sy Adriatik Mema, ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë, dërguar me studime jashtë shtetit nga ministria dhe Rezart Tërshana, drejtor juridik i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në shkelje të hapur ndaj ligjit, ministria nuk ka marrë për asnjë nga këta masën e pezullimit nga detyra. Ligji përcakton se me marrjen në dijeni të ndryshimit të statusit të këtyre zyrtarëve, sekretari i përgjithshëm në detyrë në Ministrinë e Mbrojtjes, përpilon listën e të pezulluarve, e cila duhet të firmoset nga ministri Oketa. As njëra dhe as tjetra nuk ka ndodhur, përveçse vazhdohet edhe më tej me këtë situatë paligjshmërie dhe absurditeti.

Të tjerët

I pari që u detyrua të linte detyrën e tij, vetëm tri ditë pas shpërthimit në Gërdec, ishte ish-ministri Mediu, i cili dha dorëheqjen. Më pas u detyrua të linte edhe imunitetin e tij si deputet. Pas tij, ish-drejtori i “Meico”-s, Ylli Pinari, i cili u arrestua po tri ditë pas tragjedisë. Kohë më pas u larguan nga detyrat që mbanin, gjeneralët Spahiu e Bahja e pas tyre, edhe ish-shefi i shtabit, Luan Hoxha. Dosja e çuar në Gjykatën e Lartë mban plot 28 të pandehur, por më shumë se gjysma e tyre, 15 punonjës civilë e ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes vazhdojnë të qëndrojnë ende në punë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Marrin rrogën e qëndrojnë në detyrë, edhe pse Prokuroria e Përgjithshme i konsideron ata fajtorë për shpërdorim detyre.

Sefgjini

Ishte rasti më komik i qeverisjes “Berisha”. Ish-drejtori i Tatim-Taksave, i pandehur në procesin “Hoxha”, u mbyll në arrest shtëpiak dhe drejtonte institucionin nga apartamenti i tij. Punonjësit e tij i dërgonin me korrier shkresat zyrtare në shtëpi dhe ai firmoste prej andej. Vetë kryeministri i doli në mbrojtje nëpunësit të lartë, sipas mënyrës së tij të zakontë: ai nuk është shpallur fajtor.

GËRDECI – 2008

Të pandehurit:

1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, “shpërdorim detyre” dhe “favorizim në tenderë”

2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, “shpërdorim detyre”

3. Agim Lala, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, “shpërdorim detyre”

4. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar, “shpërdorim detyre”

5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, “shpërdorim detyre”

6. Armand Tartari, drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, “shpërdorim detyre”

7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit, “shpërdorim detyre”

8. Ardian Mullahi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, “shpërdorim detyre”

9. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, “shpërdorim detyre”

10. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit, “shpërdorim detyre”

11. Dashnor Çaushaj, kryetar i Komisioni i Kategorizimit të Municioneve, “shpërdorim detyre”

12. Zenun Fero, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, “shpërdorim detyre”

13. Hysni Coçka, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, “shpërdorim detyre”

14. Hilmi Laçaj, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, “shpërdorim detyre”

15. Fari Toska, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, “shpërdorim detyre”

16. Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Fishekëve, “shpërdorim detyre”

17. Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, “shpërdorim detyre”

18. Agim Babameto, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Fishekëve, “shpërdorim detyre”

19. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike në Gramsh, për “falsifikim dokumentesh”

20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan, për “falsifikim dokumentesh”

21. Gëzim Oshafi, anëtar i Komisioni të Çmimeve të Municioneve të Rënda, “shpërdorim detyre”

22. Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda, “shpërdorim detyre”

23. Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda, “shpërdorim detyre”

24. Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda, “shpërdorim detyre”

Të pandehur në arrest në burg

25. Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, “vrasje me dashje më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash”; “shpërdorim detyre” e “falsifikim i dokumenteve” në bashkëpunim dhe “shpërdorim detyre” nga Kodi Penal Ushtarak

26. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë “Albademil”, “vrasje me dashje më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash” dhe “shkatërrim prone” në bashkëpunim

27. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë “Albademil”, “vrasje me dashje më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash” dhe “shkatërrim prone” në bashkëpunim

28. Sokol Ngjeçi, ish-inspektori i ndërmarrjes shtetërore “Meico”, “vrasje me dashje më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash” dhe “shpërdorim detyre” në bashkëpunim

Të pandehurit në detyrë

a. Punonjës civilë

1. Rezart Tërshana, aktualisht drejtor i Drejtorisë Juridike

2. Armand Tartari, drejtor i Financës

3. Adriatik Mema, sekretar i përgjithshëm, me status te nëpunësit civil dërguar me studime.

4. Agim Babameto, përgjegjës sektori

5. Denis Hajdari, jurist te Prokurimet

b. Ushtarakë me statusin e ushtarakut ne detyrë:

6. Agim Lala, Komandant i Forcës së Bashkuar

7. Jorgo Mino, specialist

c. Punonjës të tjerë në punë:

8. Fari Toska,

9. Fiqiret Mato,

10. Gëzim Oshafi,

11. Hysni Coçka,

12. Lavdi Shatro,

13. Zenun Fero,

14. Besnik Dauti,

15. Fatbardh Kuçi,

L i G J i Nr. 8549, datë 11.7.1999 “PER STATUSIN E NËPUNËSIT CIVIL”

Neni 22

Pezullimi

1. Pezullimi është ndërprerja e përkohshme e marrëdhënieve ligjore për periudhën sa zgjat arsyeja e ndërprerjes. Në mbarim të kësaj periudhe, nëpunësi civil rimerr vendin e tij në shërbimin civil, me përjashtim të rastit kur dënohet me heqje lirie.

2. Nëpunësi civil pezullohet:

a) kur ndaj tij fillon ndjekja penale, për shkak të detyrës ose për krime të rënda, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar;

b) gjatë periudhës së thirrjes nën armë;

c) gjatë periudhës në të cilën ushtron një funksioni politik sipas dispozitave në fuqi;

ç) për periudha studimi më shumë së 6 muaj, të ndërmarra me nismën e vetë nëpunësit, por në lidhje me profesionin që ai ushtron.

3. Gjatë periudhës së pezullimit nëpunësi civil nuk paguhet. Në rastin e parashikuar në pikën 2 shkronja “a” të këtij neni, kur çështja penale pushohet ose kur me vendim gjykate të formës së prerë deklarohet i pafajshëm, nëpunësit civil i jepet paga bazë që nga momenti i pezullimit.

4. Periudha e kohës së pezullimit nga detyra merret në konsideratë për llogaritjen e vjetërsisë në shërbimin civil.

Marrë nga revista “Mapo” nepermjet Peshkupauje.com

No comments yet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: