Skip to content

Vritet kryetari i PDK per Malesine e Madhe

06/18/2009

Vritet kryetari i PDK-së Malësi e Madhe. Policia: Keka, precedent kriminal. Ndoka: Shpifje e rëndë

Vrasja ndodh 10 ditë para zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Makina e kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe shpërtheu sot paradite afër qytetit të Shkodrës. Policia e Shtetit informon se 34 vjecari ishte person me precedentë kriminalë në trafikun e drogës dhe të eksplozivëve me telekomandë. Nard Ndoka: “Vrasja është politike, sulm terrorist. Keka kërcënohej vazhdimisht nga eksponente te PD”.

/BalkanWeb/


SHKODER/TIRANE-

PS, Kodheli: Vrasja e Kekës përgjak sërish fushatën zgjedhore

Ora: 16:09- Partia Socialiste e cilësoi si përgjakje të fushatës zgjedhore ekzekutimin e kreut të PDK-së në Shkodër. Zëdhënësja Mimi Kodheli duke shprehur ngushëllimet për familjen e Aleks Kekës, i bëri thirrje policisë të mos bëhet palë me askënd, të zbardhë rrethanat e vrasjes dhe të nxirren autorët përpara drejtësisë.

“I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, miqve dhe kolegëve demokristianë. Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit. Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit, të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe joprofesionale, të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të çojë përpara drejtësisë autorët e saj”  theksoi Kodheli përmes një deklarate për mediat.
PS nënvizon se fushata zgjedhore po tensionohet për shkak të presionit të pushtetit dhe gjuhës së urrëjtjes.
“Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit” u shpreh zëdhënësja e Partisë Socialiste.

Ndërkohë, PS i ka bërë thirrje shqiptarëve t’i shmangen dhunës gjatë zgjedhjeve duke theksuar se e ardhmja duhet vendosur me votë e jo me dhunë.

Ndreu: Deklarata e Policisë së Shtetit problematike

Ora 15:44 Në një lidhje telefonike me televizionin “News24” Ish-zv/kreu i Policisë së Shtetit Pjerin Ndreu e ka dënuar këtë akt duke e cilësuar atë si ngjarje të rëndë të ndodhur në një situatë parazgjedhore. Sipas tij kjo e bën edhe më të rëndë, duke i dhënë një karakter më problematik ngjarjes. “Është një ngjarje e rëndë, ndodhi në një situatë parazgjedhore ku i jep një karakter më problematik ngjarjes”- theksoi Ndreu.
Ndërkohë deklaratën e Policisë së Shtetit lidhur me këtë ngjarje Ndreu e ka cilësuar si jo profesionale dhe të parakohshme, pasi sipas tij është Prokuroria e rrethit ajo që jep konkluzione të hetimit. Ndreu shtoi se nuk mund të jepen konkluzione pa u përfunduar procesi i këqyrjes në vendngjarje.
“Deklarata ishte problematike, pasi nuk kuptoj se në cfarë kushtesh një deklaratë e tillë del pa përfunduar procesin e këqyrjes së vendngjarjes. Nuk mund të jepet asnjë konkluzion aq më tepër një informacion që është kofidencial për të zbardhur ngjarjen dhe jo për tu shitur në publik”- tha Ndreu.
Prononcimin e policisë së shtetit Ndreu e cilësoi si një kundërpërgjigje të qeverisë ndaj deklaratave të dhëna se është një vrasje politike
“Ky prononcim me jep idenë se është një kundërpërgjigje e policisë kundrejt ndonjë deklarate që është thënë për një “vrasje politike”. Deklarata e policisë është e parakohshme, grupi hetimor duhet të drejtohet nga Prokuroria e rrethit dhe jo nga policia, kjo është një metodë e gabuar e organeve tona policore, pasi nuk janë ata kompetent të japin deklaratat është Prokuroria e cila drejton procesin hetimore. Policia është thjesht një organ i cili vihet në dispozicion të Prokurorisë”- theksoi Ndreu në lidhjen telefonike me “News24”.

Meksi: Ngjarja, shprehje e qartë e dhunës politike

Ora 15:31- I kontaktuar në telefon nga televizioni “News24” Aleksandër Meksi deklaroi se ngjarja është shprehje e qartë e dhunës politike në vend duke kërkuar zbardhjen e menjëhershme të saj.
“Të mbahet një qëndrim, të na sqarojnë si ka ndodhur, kush janë këta banditë që kryen këtë krim, ne e dënojmë dhe kërkojmë përgjigje sa më parë” u shpreh Meksi.
Ndërkaq, Meksi nënvizoi se ngjarja e sotme nuk është dicka pozitive për votuesit në prag të zgjedhjeve.
“Nuk është pozitive për votuesit dhe Shqipërinë, është dicka e dëshiruar për ata të pushtetit. I ftoj njerëzit të votojnë dhe të shuajnë me votë duke vendosur në politikë njerëz të ndershëm” theksoi Meksi për “News24”.

Ndoka: Policia shpif. Keka person i nderuar

Ora 14:10-Demokristianët shprehen të indinjuar për deklaratat e Policisë së Shtetit që cilësuan në njoftimin për shtyp, Aleks Kekën si person me precedent penal e kriminal. Kryetari i PDK, Nard Ndoka theksoi sot për TvNews24 se Kryetari i PDK së Malësisë së Madhe, Keka sot u vra dy herë. Ndoka akuzoi policinë si dizinformuese dhe të papërgjegjshme lidhur me ngjarjen në fjalë. “Policia është e papërgjegjshme me deklaratat që lëshon. Ai ishte një njeri i nderuar dhe respektuar i zonës dhe nuk ka patur probleme me policinë. Këto deklarata janë shpifje të ulëta. Policia e vrau per here te dyte Keken sot”, theksoi Ndoka. Sipas kryetarit të demokristianëve kjo deklaratë e policisë pohon se tashmë shqiptarët jetojnë nën një klimë të terrorit. “Kjo është një corodotje totale e shtetit. Kjo tregon që në jetojmë në një klimë të terrorit. Policia dha një version të gabuar dhe deklaratë të sajuar”, u shpreh Ndoka duke kërkuar që Policia ti kërkojë falje familjarëve të Kekës që sipas tij janë shokuar nga pohimet zyrtare të policisë së shtetit.
Ndoka shtoi se Aleks Keka aktualisht ishte anëtar i qarkut të këshillit të Shkodrës dhe kryetar i PDK në Malësinë e Madhe. Ndoka qartësoi se Keka nuk ishte kandidat për deputet në këto zgjedhje parlamentare, por vetëm drejtonte PDK e Malësisë së Madhe për këto zgjedhje.

Policia e Shtetit: Aleksander Keka, eksponent i trafikut te droges e eksplozivit

Ora 14:00 Tre orë nga vrasja me eksploziv e kryetarit të PDK-së Malësisë së Madhe policia e Shtetit informon në një prononcim për shtyp se viktima Aleksandër Keka ishte person me precedentë kriminalë në trafikun e drogës dhe të eksplozivëve me telekomandë.

“Duhet theksuar se shtetasi Aleksandër Keka prej vitesh është evidentuar nga strukturat e policisë lokale e qëndrore si person me precedent të theksuar kriminal me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë.”- deklaroi zëdhënësi i Policisë së Shtetit Klodian Branko në prononcimin për shtyp të dhënë rreth orës 13.30 minuta.
Njoftimi për shtyp vazhdon me detajet e vrasjes. “Sot më datë 18.06.2009, rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër, mjeti Mitsubishi Pajero me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga”.
34 vjecari Aleksandër Keka, lindur e banues në fshatin Pjetroshan, komuna Kastrat, Malësi e Madhe është gjetur i vdekur nga strukturat e policisë lokale që kanë mbërritur në vendngjarje.

Policia thotë se mjeti fuoristradë në të cilën udhëtonte kryetari i degës së PDK-së ishe në pronësi të Arben Bitanit, biznesmen i vrarë në 2008.

Për hetimin e kësaj ngjarje policia thotë se janë angazhuar ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Laboratorit Qëndror Kriminalistikë, të Njësisë Antieksploziv etj. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Kryetari i PDK, Nard Ndoka: Keka kërcënohej nga eksponentë të PD

Ora 13:00-Kryetari i PDK-së pohoi sot se Kryetari i degës së PDK në Malësinë e Madhe, Aleks Keka që u gjet i vdekur pas shpërthimit të makinës së tij në aksin Koplik-Shkodër, është kërcënuar më parë. Në një lidhje telefonike për TVNews24, Ndoka deklaroi se Keka ishte kërcënuar dhe këtë ja kishte pohuar ketë edhe kryetarit të partisë. Sipas Ndokës, kërcënimet ndaj Kekës ishin bërë të shpeshta pas deklaratave në Shkodër të kryetares së parlamentit Jozefina Topalli për të shpërfillur PDK –në në këto zgjehdje parlamentare. Ndoka rrëfen se bisedoi me Kekën, vetëm 5 minuta para se të ndodhte shpërthimi. “ E mora më pas ne telefon, 3 herë, por ai nuk mu përgjigj. Pastaj mësova për ngjarjen, mbërrita menjëherë në vendgjarje. Dukej gjithcka se kishim të bënim me një akt të pastër terrorist”, pohon Ndoka për News24. Sipas tij, shpërthimi ka qënë i telekomanduar dhe si pasojë makina e Kekës ka dalë jashtë rruge.
Ndoka sqaron se Keka kishte patur kërcënime të vazhdueshme. “Keka u kërcënua vazhdimisht nga eksponentë të PD-së. Për këtë le të përgjigjet policia, pasi ajo ka cdo informacion”, thotë Ndoka. Sipas tij, kërcënimet për PDK-në, nisën kur Topalli po bënte fushatë kundër partisë të tij në zonën e Shkodrës. “Dihet gjuha e Topallit, ajo është një mostër e politikës shqiptare”, shprehet Ndoka për News24.
Ngjarja në këtë prag fushate sipas Ndokës ka domethënie, megjithatë Kryetari i demokristianëve bëri thirrje për qetësi dhe kërkoi nga Policia e Shtetit zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes.

Policia : Shpërthimi me eksploziv i telekomanduar
Ora 12:42
Policia thotë se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Ekspertët të xhenios dhe të policisë kriminale thonë se shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur nga vendosja e një eksplozivi në makinë dhe sipas gazetareve te NEWS 24 tw cilet i referohet burimeve nga policia dyshohet se eksplozivi mund të jetë i llojit C4.

Një pistë hetimi që është mësuar nga gazetarët në vendngjarja në këto momente është se autorët mund ta kenë aktivizuar shpërthimin nëpërmjet telekomandës.

PDK, Jak Ndokaj: Keka u vra në atentat. Ky sulm terrorist ndaj PDK

Ora 12:45-Deputeti i Partisë Demokristiane (PDK), Jak Ndokaj e ka konsideruar vdekjen e kryetarit të PDK në Malësinë e Madhe si atentat të pastër politike dhe sulm terrorist ndaj partisë së tyre. “Isha në një takim elektoral kur mësova ngjarjen. Është tepër e rëndë dhe PDK e konsideron këtë një akt të pastër terrorist. Ngjarje e rëndë, kërkojmë nga organet e sigurisë zbardhjen e menjëherëshme të kësaj ngjarjeje”. Ndokaj u shpreh gjithashtu se ky akt criminal është i motivuar politikisht. “Ky mbetet një akt i motivuar politikisht. Është bërë në mënyrë të studiuar. Atentati ndaj Kekës është në vazhdën e fushatës elektorale. Opinioni public ika dëgjuar tashme thirrjet kundër PDK”, tha Ndokaj duke iu referuar këtu deklaratës së kryetares së parlamentit në Shkodër, Jozefina Topalli për të mos votuar PDK, pasi votat në këtë mënyrë shkojnë tek Edi Rama.

Deputeti i PDK-së Frrok Gjini: Vrasja politike. Topalli përgjegjëse

Ora 12: 30 Deputeti i PDK-së Frrok Gjini deklaron se vrasja e kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe është politike.
Në një prononcim për NEWS24, Gjini drejton gishtin te nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, si përgjegjëse për klimën e tensionuar që po krijon në të gjithë qarkun e Shkodrës. “E vërteta është e qartë dhe e padiskutueshme. Kjo është vrasje politike. Jozefina Topalli ka krijuar monopol dhe kërkon që të dalë pa tjetër fituese nga qarku i Shkodrës, por tashmë PD e PDK do ti japin vendin e merituar.”- tha deputeti i PDK-së Frrok Gjini

Demokristiani vazhdon më tej akuzat ndaj kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli se “po ndërton skena të tilla të turpshme për eliminimin e demokristianëve.“Gjuha e saj vrer që ka përdorur këto ditë ndaj demokristianëve. Më tej ai i kërkon drejtësisë zbardhjen e menjëhershme të vrasjes së Aleks Kekës, babait të tre fëmijëve.

Fushata elektorale në qarkun e Shkodrës është shoqëruar dhe me tensione dhe rivalitet mes PD-së dhe PDK-së.
Ditet e fundit replikat u shtuan pas deklarimit të Jozefina Topallit në Postribë, kundër partive të vogla si Partia Republikane e Partia Demokristriane.

Policia e Shkodres: Aleks Keka u gjet i djegur jashtë makinës
Ora 11:44-  Drejtori i Policisë së Shkodrës, Vullnet Topalli në një prononcim për shtyp në NEWS24 deklaroi se trupi i kryetarit të degës së PDK-së është gjetur i djegur jashtë makinës së tij. “Makina ka dalë nga rruga dhe me pas ndodhi shpërthimi” – sqaron drejtori i Policisë së Shkodrës.
Pas verifikimit eshte vertetuar se Aleks Keka po udhëtonte i vetëm në makinën e tij, kur ka ndodhur shpërthimi. 

Në momentet e para kur u mësua ngjarja, burime nga policia thanë se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit, ose vënia e një eksplozivi në makinën e Aleks Kekës. Por në një prononcim për median drejtori i policisë së Shkodrës Vullnet Topalli nuk ka pranuar të japë detaje mbi motivin duke u shprehur se po hetohet dhe është shpejt për të dhënë një pistë hetimi.

Shpërthen makina e kryetarit të PDK-së së Shkodrës. Vdes Aleks Keka
Ora 11: 17
Kryetari i Partisë Demokristiane të degës së Malësisë së Madhe, Aleks Keka ka mbetur i vdekur sot në mëngjes teksa po udhëtonte me makinën e tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Grilë afër qytetit të Shkodrës.

Të dhënat e para të policisë bëjnë të ditur se viktima Aleks Keka po udhëtonte me automjetin e tij, tip fuoristradë, nga Kopliku drejt Shkodrës. Policia tha se kryetari i degës së PDK-së së  kishte udhëtuar disa kilometra larg qytetit të Koplikut, dhe në fshatin Grile ka ndodhur shpërthimi.

Policia e Shkodrës thotë se shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe automjeti ka pësuar dëmtime të rënda. Ende nuk është e qartë nëse kryetari i degës së PDK-së, njëkohësisht dhe biznesmen po udhëtonte vetëm në makinë apo një person i dytë ishte në makinë.
Policia thotë se për momentin është e vështirë të verifikohet pasi automjeti është dëmtuar shumë nga shpërthimi.

Hetimet
Ende nuk dihet nëse shpërthimi ka ndodhur nga një rrjedhje e gazit të makinës apo nga vendosja e një eksplozivi. Policia e Shkodrës thotë se kur i janë afruar makinës kanë ndjerë erën e gazit, cka ngre dhe versionin se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga një rrjedhje gazi. Një grup ekspertësh të hetimit dhe forca të shumta policie, forcat RENA ndodhen në vendngjarje por është e vështirë të mësohet se nga se është shkaktuar shpërthimi i automjetit në të cilën po udhëtonte Aleks Keka.

Kryetari i Partise Demokristiane të Malësisë së Madhe ishte angazhuar në fushatën elektorale të partisë së tij në këtë zonë.

Faqja e Aleks Kekes ne facebook:

http://www.facebook.com/people/Aleks-Keka/1319354001

About these ads
No comments yet

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 620 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: